E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Baza e Shkallës së Meritës anketa e brendshme e nëpunësve, të vlerësohet puna dhe rezultatet

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se nevoja për forcimin e meritokracisë në administratën publike duhet të lidhet drejtpërdrejt me punën dhe rezultatet e nëpunësve civilë.

Gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, reformë për një administratë profesionale, të përgjegjshme dhe të denjë për “Shqipërinë 2030” anëtare të Bashkimit Europian, Rama iu referua rezultateve të anketës së brendshme të nëpunësve civilë, ku sipas tij, një shqetësim i rëndësishëm lidhet me mungesën e dallimit në vlerësim mes punonjësve që angazhohen dhe atyre që nuk përmbushin detyrat siç duhet.

“Nuk po zgjatem me çfarë kemi bërë ne, por po i referohemi bazës së këtij projekti të ri. Baza është anketa e brendshme e nëpunësve civilë të Republikës së Shqipërisë. Ku për herë të parë kemi pasur një numër shumë të madh nëpunësish që, në mënyrë të sekretuar, kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me situatën në administratë dhe me ambicien, për se si administrata mund të jetë një hapësirë më e mirë për ta”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se pavarësisht përmirësimeve të bëra në administratë dhe rritjes së pagave, mbetet problematike perceptimi se performanca në punë nuk ndikon mjaftueshëm në vlerësimin dhe ecurinë profesionale të punonjësve.

Duke iu referuar të dhënave të SIGMA-s, Rama tha se kënaqshmëria relative e nëpunësve me pagën është rritur nga 13% në vitin 2022 në 47%.

“Aty ka një fakt që është shumë i qartë, që përtej përmirësimeve, përtej rritjes së konsiderueshme të pagave, gjë për të cilën SIGMA vetë nënvizon se krahasimisht me vitin 2022 vlerësimi i nëpunësve për pagën ose kënaqshmëria relative për pagën është rritur nga 13 në 47%, por ajo që çka mbetet shumë serioze, më shumë sesa në anketat e tjera, është që shumica dërmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë që “se punon, s’spunon”, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa ti vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që i bën edhe më negativ në vlerësim është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë. Ndërkohë që të njerëzit në një masë relativisht më të vogël se pjesa tjetër, mbajnë një peshë shumë më të madhe dhe nuk shohin dallimin në mënyrën se si vlerësohen”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ndal edhe te roli i Sekretarëve të Përgjithshëm në procesin e vlerësimit, duke theksuar se përgjegjësia nis nga nivelet drejtuese.

“Sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi, që shkon nga lart-poshtë, dhe ku, nëse ata cedojnë, cedon gjithë sistemi. Dhe jemi pasur një mbledhje epike në mandatin e parë, mos gaboj, kur vlerësimet ishin të një niveli tronditës për nga pozitiviteti për të gjithë”, tha ai,

Sipas Ramës, masat e ndërmarra për rritjen e pagave, bonuset e posaçme dhe paketat e motivimit duhet të shoqërohen me një sistem të qartë, ku vlerësimi profesional të bazohet në rezultate konkrete.

“Gjithsesi, të gjitha hapat e ndjekura me pagat, me bonusin e posaçëm, me paketën e motivimit, si dhe të gjitha shenjat kuptimplota të dëshirës për t’u bërë pjesë e administratës së shtetit, që mund shihen pa shumë mundim në thirrjet e programeve të ekselencës apo të programeve kombëtare të praktikave të punës, e bëjnë të pamundur që ne të mjaftohemi me kaq, ndërkohë që qytetarët kërkojnë më shumë, ndërkohë që procesi i negociatave dhe procesi i anëtarësimit në tërësi, dhe vetë anëtarësimi, sjellin shumë më tepër sfida për administratën dhe ndërkohë që ne e kemi detyrim t’ju kthejmë një përgjigje jo me fjalë, por me fakte, të gjithë atyre brenda administratës që ndihen të pakonsideruar për atë që bëjnë, dhe që madje ndihen të shpërfillur për faktin se, sado të bëjnë ata, vlerësohen njësoj si ata që nuk bëjnë aq sa duhet”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri theksoi gjithashtu se procesi i integrimit europian do të sjellë sfida të reja për administratën shqiptare, duke e bërë të domosdoshëm përmirësimin e standardeve profesionale dhe rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve.

“Ky është një detyrim që ne e kemi parësor sot, në mënyrë që, duke motivuar njerëzit përmes meritës dhe duke e bërë meritën element bazë të bashkëjetesës brenda administratës si nxitës i konkurrencës dhe, nga ana tjetër, duke e bërë meritën element bazë të garancive se kur t’i troket për t’u bërë pjesë e shtetit, ti do të vlerësohesh për atë, për atë që je, ne mund të bëjmë sot atë kapërcim që deri dje dukej krejt i pamundur për t’u diskutuar Sot po e diskutojmë, por na duhet puna e përbashkët e të gjithëve për ta bërë realitet”, tha Rama.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›