E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pjesëmarrja e ulët në referendumin në Itali, goditje për opozitën, fitore për Melonin

Referendumi i propozuar nga opozita italiane për të lehtësuar ligjet e shtetësisë dhe për të forcuar mbrojtjen e vendeve të punës dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Të dhënat paraprake nga qendrat e votimit tregojnë se vetëm rreth 30% e votuesve të regjistruar morën pjesë, shumë më pak se pragu prej 50% + 1 që nevojitet për të bërë rezultatin të detyrueshëm ligjërisht.

Referendumi synonte të ulte periudhën e kërkuar për marrjen e shtetësisë italiane nga 10 në 5 vjet përmes natyralizimit, duke prekur rreth 2.5 milionë njerëz, si dhe të forconte mbrojtjen e vendeve të punës.

Opozita, që promovoi iniciativën, e konsideroi atë si një mjet për të sfiduar qeverinë Meloni. Megjithatë, strategjia e bojkotit e ndjekur nga Meloni dhe aleatët e saj rezultoi efikase. Kryeministrja vajti në qendrën e votimit po nuk votoi vetë, duke dërguar një sinjal të qartë politik.

“Opozita donte ta kthente referendumin në një votë kundër qeverisë. Por rezultati është i qartë: qeveria del më e fortë, dhe e majta më e dobët,” deklaroi Giovanbattista Fazzolari, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Melonit.

Rezultatet përfundimtare do të përfshijnë edhe votat e shtetasve italianë jashtë vendit, por ato nuk pritet të ndryshojnë rezultatin përfundimtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›