E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muzeu i Kukësit, turistët të interesuar për pavijonin e etnografisë

Me nisjen e sezonit veror, Muzeu Etnografik i Kukësit po mirëpret një numër gjithnjë në rritje vizitorësh, si vendas ashtu edhe të huaj. Turistët nuk mungojnë, duke shfaqur interes të veçantë për historinë dhe trashëgiminë kulturore të zonës, që ruhen me fanatizëm në tre pavijonet: etnografik, arkeologjik dhe të biodiversitetit.

“Janë shumë të interesuar për pjesën etnografike sidomos për veshjet popullore, ushqimin, traditat, dhoma e miqve”, u shpreh Leonora Hasani, përgjegjëse e muzeut.

Një pjesë e madhe e vizitorëve janë emigrantë kuksiane që rikthehen në atdhe për pushime dhe zgjedhin të vizitojnë muzeun së bashku me fëmijët e tyre.

Kjo është një mundësi për t’i afruar brezat e rinj me rrënjët dhe traditat që kanë formuar identitetin e Kukësit ndër vite.

“Është një interes dhe po na gëzojnë shumë sepse e ruajnë me fanatizëm traditën, kulturën dhe duan ta shprehin edhe tek fëmijët për të treguar se si i kemi pasur ne gjurmët”, tha Hasani.

Muzeu Etnografik i Kukësit bën thirrje për çdo qytetar që zotëron objekte të vjetra me vlerë kulturore dhe dëshiron t’i ruajë ato për brezat që vijnë.

Çdo kontribut i tillë ndihmon në pasurimin e koleksionit dhe ruajtjen e identitetit të tre krahinave: Lumës, Malziut dhe Gorës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›