Plagosen dy policë në Malësi të Madhe, ndalohet 47-vjeçari gjerman - ATSH -
TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme janë plagosur me mjet prerës (thikë) nga një shtetas gjerman, gjatë një ndërhyrjeje policore në fshatin Pjetroshan, Malësi e Madhe.
Policia bëri të ditur se rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/m.m/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
