E Diel, 1 Nëntor 2026

POLONI - Presidenti Nawrocki thërret konsultime urgjente pas përshkallëzimit të krizës në Gjykatën Kushtetuese - ATSH -

VARSHAVË, , 31 tetor/ATSH/ – Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka thirrur konsultime urgjente me përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zgjidhur krizën e shkaktuar nga pezullimi i kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkowski, nga kryeministri proevropian Donald Tusk.

Nawrocki, i cili i përket partisë së djathtë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), kundërshtare e qeverisë së Tusk, ndërpreu vizitën zyrtare në Senegal dhe u kthye gjatë natës në Varshavë për të ndërhyrë në situatën e tensionuar.

Ndërkohë, policia ka rrethuar që prej mbrëmjes së kaluar selinë e Gjykatës Kushtetuese, ku janë mbledhur protestues mbështetës të presidentit, të cilët e kanë cilësuar situatën si një “grusht shteti”.

Presidenti Nawrocki deklaroi se konsultimet janë të domosdoshme për të shmangur atë që e cilësoi si një “kërcënim për sigurinë e brendshme”.

Sipas shefit të kabinetit presidencial, Paweł Szefernaker, pas mbërritjes në kryeqytet, Nawrocki zhvilloi takime me Święczkowski dhe kryetarin e parë të Gjykatës, Zbigniew Kapiński, përpara se të shkonte në selinë e institucionit. Pamjet televizive e treguan presidentin duke kaluar mes turmës së protestuesve për të hyrë në ndërtesë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Poloni, Tom Rose, u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë dhunë ose përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

Prej disa javësh, qeveria e kryeministrit Tusk po përpiqet të largojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga qeveria e mëparshme e drejtuar nga PiS, e cila qëndroi në pushtet nga viti 2015 deri në vitin 2023.

Gjykata është përplasur shpesh me institucionet europiane, duke mbështetur përparësinë e legjislacionit polak ndaj së drejtës së Bashkimit Europian. Për këtë arsye, BE-ja e ka akuzuar institucionin se ka qenë tepër i afërt me pushtetin politik nacionalist të qeverisë së mëparshme.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›