E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosi aksidentalisht me armë zjarri 17-vjeçarin në Tiranë, në pranga shoku i tij dhe dy të tjerë që nuk raportuan ngjarjen

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në rrethana aksidentale nga shoku i tij.

Për ngjarjen janë arrestuar 3 persona,  mes të cilëve edhe 19-vjeçari që shkrepi aksidentalisht armën, të cilën e posedonte pa leje.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Berit Beker”, në orën 01:40, ku nga hetimet rezultoi se në banesën e 19-vjeçarit R.Sylaj, duke i treguar një pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se arma nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur 17-vjeçarin.

I plagosuri është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia ka arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shokë të tij, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, të dyshuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit të përdorur në ngjarje, e cila dyshohet se mbahej pa leje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›