Starmer mirëpret progresin SHBA–Iran: Marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka mirëpritur zhvillimet e fundit diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke i cilësuar si “përparim drejt një marrëveshjeje” që mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një reagim në rrjetin social X, Starmer theksoi se është “jetike” që Irani të mos lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike.
Ai shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të sjellë përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke garantuar “liri të pakushtëzuar dhe të pakufizuar të lundrimit”.
“Ne duhet të shohim një marrëveshje që i jep fund konfliktit dhe rihap Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi Starmer, duke iu referuar një prej rrugëve më strategjike të transportit të naftës në botë.
Kryeministri britanik theksoi gjithashtu se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të bëjë gjithçka për të mbrojtur qytetarët e saj nga ndikimi i konfliktit dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të arritur një zgjidhje afatgjatë diplomatike.
/rtsh.al/