E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja te Don Bosko, aksident, del nga rreziku oficeri i RENEA-s

Aksioni i RENEA-s

TIRANE Oficeri i Repartit të Forcave Speciale RENEA, Adrian Dibra, që mbeti i plagosur tri ditë më parë në rrugën Don Bosko në Tiranë, e ka kaluar rrezikun për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa presin konfirmimin përfundimtar për dëmtimet në tru, mjekët kanë kryer dje analizat dhe skanimet e nevojshme me të cilat njoftuan se efektivi 41-vjeçar i Forcave Speciale nuk ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore. Ky ka qenë një lajmi i mirë për familjarët dhe kolegët e efektivit të Repartit të Forcave Speciale që tri ditë më parë ra nga një lartësi prej 5 metrash teksa zbriste nga shtylla ku kishte hipur Çaush Isaraj, 56-vjeçari që protestoi për çështjen e pronësisë së tokave të tij në fshatin Picar të Gjirokastrës. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën Don Bosko dje, nuk ka pasur ende material të referuar në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë, Policia e Tiranës rreth mesditës, me anë të një deklarate sqaroi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së hënës kur në rrugën Don Bosko në një shtyllë të tensionit të lartë. Sipas Policisë, Çaush Hamza Isaraj, 56 vjec, ka tentuar të hidhet nga lartësia. Policia theksoi se menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u angazhuan Forcat e Repartit RENEA, ku gjatë operacionit për shpëtimin e shtetasit të mësipërm është dëmtuar rëndë efektiv i Repartit RENEA, Ardian Dibra, 41 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve. Policia tha se materialet për ngjarjen do ti kalojnë Prokurorisë me klasifikimin si ngjarje aksidentale. Ditën e djeshme në Spitalin Ushtarak në Tiranë kanë shkuar drejtues të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, që kanë vizituar oficerin e plagosur Adrian Dibra. Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjithashtu vizitoi oficerin dhe u interesua nga afër për gjendjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›