E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri me vëllain, piktori i vë flakën vilës 3-katëshe

Vila e djegur dje nga 35-vjeçari

Piktori Everest Ymeri, 35 vjeç, dërgohet për ndjekje penale me akuzat shkatërrim prone me zjarr dhe kundërshtim të policisë, pas ngjarjes së ndodhur dje në banesën e tij tek Unaza e Madhe në Tiranën e Re.Rreth orës 08:50 të mëngjesit, i riu është bërë shkak për një alarm të vërtetë te banorët e zonës dhe në Policinë e Tiranës. Vila 3-katëshe u përfshi nga flakët në brenda pak minutave, për shkak të spërkatjes me benzinë. Piktori ka pasur një konflikt me vëllain e tij, gjithashtu piktor ka nisur edhe ti hedhë nga dritaret rrobat e sendet e tij. Pasi ka pastruar shtëpinë nga gjërat e të vëllait, Everest Ymeri ka marrë një enë me benzinë dhe e ka hedhur lëndën djegëse në katin e parë të shtëpisë. Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.2 Tiranë shkuan në vendngjarje sapo morën njoftim mbi djegien e banesës në zonën e stacionit të Tiranës së Re. Drejt vendit të ngjarjes u nisën shërbimet e zjarrfikëse, ekspertët xhenierë si dhe Forcat RENEA, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve të banesës. Për disa minuta është dashur të negociohet me shtetasin Everest Ymeri, i cili kishte hipur në katin e dytë të banesës dhe, duke mbajtur një bombol gazi në duar, kërcënonte me zjarrvënie. Policia tha dje në një deklaratë se paraprakisht dyshohet se shkak i kësaj zjarrvënie të jetë një konflikt i mëparshëm që ky shtetas ka pasur me të vëllain e tij. Sipas policisë, Everest Ymeri në shenjë hakmarrjeje ka spërkatur me benzinë vilën 3katëshe në pronësi të tij dhe i ka vënë zjarrin.
Alarmi
Kati i parë i vilës private ka pësuar djegie në pjesën dërrmuese të hapësirës së brendshme të banesës. Ndërkohë që flakët shpërndaheshin drejt katit të dytë, pas më se 30-minutash negociata me autorin e ngjarjes, policia ia ka arritur të ndalojë 35-vjecarin. Ai ka kundërshtuar përpjekjet e policisë, teksa tentonte të hidhte në flakë edhe bombolën e gazit duke vënë jetën e tij në rrezik. Për shkak të kundërshtimeve ndaj forcave të policisë, piktori 35-vjeçar është ndaluar dhe është shoqëruar në drejtorinë e Tiranës. Ndërkohë, shërbimet e policisë dhe zjarrfikëset kanë kryer ndërhyrjen në banesë dhe kanë shuar flakët. Ngjarja nuk pati të lënduar në njerëz, ndërsa kati i parë i vilës u dëmtua thuajse tërësisht nga flakët. Pas ngjarjes, Everest Ymeri është marrë në pyetje në lidhje me zjarrvënien e qëllimshme, në Policinë e Tiranës. Burimet zyrtare nga Policia thanë se autori i ngjarjes do të ndiqet penalisht për konsumim të veprës penale të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë. Policia tha se shtetasi Everest Ymeri kishte mosmarrëveshje prej kohësh me të vëllain për shkak të pronësisë mbi vilën, por së fundi shkak është bërë edhe një incident me pikturat. Dy vëllezërit kishin të njëjtin profesion dhe shkëndija e parë e debatit dje në mëngjes ka lindur pikërisht për pikturat.

Pronësia

Ngjarja e ndodhur dje në Tiranë të Re është konsideruar si shkatërrim prone, kryer nga piktori Everest Ymeri. Ai mësohet se i kishte kërkuar vëllait të tij të largohej nga vila dhe të jetonte diku tjetër, por i afërmi i autorit të ngjarjes kishte pretenduar pjesë në këtë pronë. Për këtë shkak ka lindur edhe konflikti mes dy vëllezërve, i cili është bërë shkak për ngjarjen e djeshme. Everest Ymeri ka tentuar të nxjerrë jashtë vëllain, i cili ka braktisur banesën. Në mungesë të tij, piktori ka hedhur rrobat jashtë dhe i ka vënë flakën objektit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›