Konferenca e Kryetarëve nuk gjen dakordësi për kërkesat e PD

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Mbledhja shqyrtoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një “mocioni me debat mbi prioritetet e shpallura të qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi bëri me dije gjatë mbledhjes se është depozituar edhe një kërkesë nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, për mocion me debat me qëllim final miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
Pas diskutimeve, kryetarët e grupeve parlamentare nuk ranë dakord për zhvillimin e mocioneve. Të dyja çështjet i kaluan seancës plenare.
Gjatë mbledhjes pati edhe debate mes palëve politike.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi që mocioni me debat të zhvillohet ditën e enjte.
“Meqenëse nuk është caktuar seancë këtë të enjte, kërkojmë që ky mocion të zhvillohet pikërisht atë ditë”, tha Bardhi.
Por në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se kërkesa e PD-së nuk respekton as në formë, as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit.
“E lexova mocionin, në të cilin ka 6 superçështje, ku në secilën ka shumë nënçështje. Rregullorja thotë një çështje. Në kërkesë ju caktoni disa makroçështje. Mjafton dy çështjet e para që listoni, të cilat përfaqësojnë dy superçështje të mëdha me shumë nënçështje. Çështjen katër kërkoni integritetin e ministrave dhe më pas vazhdoni me kriminalizimin e politikës shqiptare. Pra, z. Kryetar, jemi para një kërkese që nuk respekton as në formë, as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Në të kaluarën kemi bërë debat dhe jemi dakordësuar që të hartohet mocioni për një çështje të caktuar”, tha Balla.
Balla tha se dy javë pas seancës së diskutimit të programit të qeverisë dhe përbërjes, grupi parlamentar socialist e quan pikë të ezauruar.
“Kërkesa për mocion për debat ka gjashtë superçështje dhe asnjë çështje të veçantë. Jeni të mirëpritur ta risillni të modifikuar vetëm në një çështje. Nuk e thotë Rregullorja që në seancën më të parë të diskutohet mocioni, por brenda 30 ditëve nga depozitimi”, tha Balla.
Nga ana tjetër, Bardhi theksoi se Konferenca e Kryetarëve nuk vlerëson përmbajtjen e kërkesës për mocion.
“Konferenca vendos vetëm datën. Kërkesa është në përputhje me Rregulloren dhe ka një pikë: aspiratën e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Keni qenë ju që keni ulur zërin në Kuvend dhe keni thënë se opozita nuk do debat. Sot, ju po e faktoni vetë se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qartë për atë që e keni shpallur si prioritet: antarësimin në BE. Nga njëra anë bërtisni se kemi krijuar “jonormalitet” në Kuvend, dhe nga ana tjetër po refuzoni debatin”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se mocioni me debat është “pasqyra” e dështimeve, korrupsionit dhe inkriminimit të qeverisë.
“Nuk mund t’i mohoni opozitës mekanizmat e saj kushtetues. Po prishni debatin, po shkatërroni parlamentarizmin, po shkelni Kushtetutën”, tha Blushi.
/m.q//a.f//r.e/