Plani i ri buxhetor – Në Francë nisin protesta masive, 80 mijë policë në gatishmëri

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Franca ka nisur të përfshihet nga një valë e re protestash dhe grevash në të gjithë vendin, të organizuara nga sindikatat kryesore kundër planit të ri buxhetor.
Gjatë mesditës, u raportuan dhjetëra bllokime rrugësh dhe 30 persona të arrestuar, ndërsa protestuesit u mblodhën në qytete si Paris, Var, Caen, Finistere dhe Toulon.
Ministri i Brendshëm në largim, Bruno Retailleau, tha se ka pasur përpjekje për bllokime dhe madje një tentativë sabotimi në disa zona ndaj rrjetit të ujit. Shumë shkolla janë përfshirë në grevë, me një shkollë të mesme në Paris të bllokuar nga nxënësit dhe rreth 33% të mësuesve të shkollave fillore që nuk shkuan në punë.
Protestat kanë si shkak planin e propozuar nga ish-kryeministri Francois Bayrou, që synon të kursejë 44 miliardë euro për të ulur borxhin publik. Sipas policisë, deri në 800 mijë vetë pritet të marrin pjesë në marshime, ndërsa në terren janë vendosur mbi 80 mijë efektivë policie.
Për herë të parë pas protestave të “Jelekëve të Verdhë”, po përdoren edhe automjete të blinduara dhe ato të ujit me presion. Qeveria franceze përballet me trysni të madhe, pasi Bayrou humbi votëbesimin në parlament më 8 shtator dhe u zëvendësua nga ministri Sebastien Lecornu.
Macron ka kërkuar që kryeministri i ri të nisë konsultimet për formimin e qeverisë. Aktualisht borxhi publik i Francës është 113% e PBB-së, ndërsa deficiti buxhetor është 5.8%.
Mungesa e një marrëveshjeje për buxhetin e vitit 2025 ka shtuar tensionet politike në vend.
Protesta e sotme konsiderohet si më e madhja që nga viti 2023, kur qytetarët dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e moshës së pensionit pa votim në parlament.
/rtsh.al/