Plani i zbatimit pret dritën e gjelbër të Kuvendit

Kosova me një pako ligjore, kurse Serbia me Ligjin kushtetues, mëtojnë të nisin edhe në vepër zbatimin e marrëveshjes për veriun, të quajtur si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të premtes ka miratuar planin e zbatimit të pajtuar në parim midis kryeministrave Thaçi e Daçiq dhe të njëjtin do t’i procedojë për aprovim Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër, qeveria e Serbisë pritet të miratojë Ligjin kushtetues me të cilin pritet ta trajtojë veriun e Kosovës ndaras nga pjesët tjera, marrë parasysh se në Kushtetutën e këtij vendi, Kosova figuron si pjesë e saj. Përveç anës ligjore, pritet që palët të nisin edhe një fushatë politike lobuese, shkruan tribuna.
Qeveria Thaçi pritet që të lobojë te partitë opozitare që të sigurojë mbështetjen e tyre për ligjet që do t’i adoptohen me urgjencë zbatimit të marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe. Kurse qeveria në Beograd do të ndërmarrë edhe një fushatë tjetër me serbët e veriut në përpjekje të uljes sadopak të kundërshtive ndaj zbatimit të marrëveshjes. /Indeksonline/