Plani për Energjinë dhe Klimën, lëvizja e mjeteve në ditë të caktuara sipas targës

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka rishikuar Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020-2030, ku në fushën e transportit janë parashikuar një sërë masash në drejtim të eficiencës së energjisë dhe mbrojtjen e klimës.
Plani i rishikuar është hedhur për konsultim publik. Sipas vendimit për rishikimin e Planit, çdo 2 vjet përgatitet progresi për statusin e zbatimit të Planit dhe dorëzohet në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.
Ndër masat që do të merren është përdorimi i automjeteve me eficiencë energjie, përmirësimi i cilësisë së rrugëve dhe reduktimi i nevojave për lëvizshmërinë dhe distancave me anë të planifikimit të integruar.
Planifikohet promovimi i transportit rrugor publik të udhëtarëve apo edhe caktimi i taksave të qarkullimit dhe kufizimi i përdorimit të automjeteve, ku një opsion është përdorimi i tyre në ditë të caktuara të javës, përshembull sipas targës së makinës, masë kjo e parashikuar të nisë zbatimin brenda 2025-ës.
Njëkohësisht parashikohet përgatitja e një plani optimal parkimi dhe caktimi i tarifave optimale të parkimit, veçanërisht në nyjat kryesore të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.
Transporti me makinë zë përqindjen më të madhe të transportit të udhëtarëve, ndërsa transporti me motoçikletë dhe mjete lundruese zë një përqindje të vogël. Transporti i përbashkët dhe publik luan një rol të rëndësishëm. Transporti hekurudhor është i papërfillshëm, prandaj transporti me autobus është mënyra e vetme e transportit rrugor të përbashkët. Ai ka pësuar rënie nga 15,4% në vitin 2015 në më pak se 11% në vitin 2018.
Kjo përqindje parashikohet të rritet sërish në 12% deri në vitin 2030 dhe të mbetet konstante gjatë periudhës në vijim.
Teksa tregu i automjeteve mbizotërohet nga makinat e përdorura dhe jetëgjatësia mesatare e makinave është rreth 14 vite, një rritje e konsiderueshme e automjeteve elektrike është projektuar të nisë dhe të vijojë deri në vitin 2050. Në rishikimin e Planit parashikohet që deri në vitin 2030, 10% e të gjithë automjeteve që përdoren në territorin shqiptar të jenë automjete elektrike.

/a.f/r.e/