E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plani për largimin e palestinezëve, Trump takon mbretin e Jordanisë: Nuk tërhiqem, projekti sjell paqe afatgjatë në rajon

Presidenti Donald Trump po shtron përpara rrugën për planin e tij që kërkon zhvendosjen e plotë të palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe marrjen e kontrollit të territorit nga SHBA.

Një “dritë jeshile” iu ndez Trump, pas takimit me të parin lider arab, Mbretin e Jordanisë Abdullah në Shtëpinë e Bardhë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Gazetarëve në zyrën ovale, Trump tha se nuk do të tërhiqet nga plani i tij.

“Do ta marrim territorin. Do ta mbajmë dhe do ta ruajmë. Do ta marrim eventualisht, do të krijojmë shumë vende pune për banorët e Lindjes së Mesme. Plani im do të sjellë paqe në rajon”, tha Trump.

Ndërsa mbreti Abdullah i cili kishte kundërshtuar më herët propozimin e Trump, nuk mbajti një qëndrim të qartë pro apo kundër.

“Çështja është se si ta bëjmë këtë të funksionojë në një mënyrë të dobishme për të gjithë”, tha mbreti i Jordanisë.

Ai tha gjithashtu se do të jetë në komunikim me të gjitha shtetet arabe për të bërë më të mirën.  Ndërkohë, propozimi i Trump, dhe paralajmërimi që i bëri Hamasit një ditë më parë i ka dhënë zemër kryeministrit izraelit.

“Afati është deri të shtunën pasdite. Nëse pengjet nuk rikthehen, armëpushimi do të përfundojë dhe Ushtria do të rinisë luftimet për t’i dhënë goditjen e fundit Hamasit”, tha Netanyahu.

Armëpushimi i brishtë tre javor, hyri në fuqi një ditë pas inagurimit të Trump si President dhe është më i gjati që nga nisja e luftës./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›