Bushka: Nuk e kam penguar SPAK! Kryetarja e Komisionit të Ligjeve thotë se ka miqësi me çiftin Veliaj

Në një dëgjesë të posaçme me grupin parlamentar socialist, në prani të kryeministrit Edi Rama, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, mohoi akuzat e SPAK për përfshirje në dosjen penale të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve.
Bushka: Ina Goxhaj është kushërirë e imja. Si juriste i kam sqaruar një kushërire, një të afërmeje të drejtat e saj, vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fshehë ndonjë të vërtetë, sepse unë jam e para më e interesuara që e vërteta të zbardhet sa më parë dhe të jetë e tillë në sytë e publikut. E kam kritikuar në fakt kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo kishte qenë drejtoreshë ekzekutive nuk kishte ndryshuar që nga viti 2017 edhe pse unë e kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di ta shpjegoj çfarë mund të ketë ndodhur në prokurori, apo çfarë presioni, trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë me një kontekst tjetër.
Bushka pranoi se ka njohje me Veliajn dhe Xoxen dhe miqësi të vjetër me ta, por nuk ka interferuar në paligjshmëri, ndërsa sqaroi edhe pozicionin e bashkëshortit.
Bushka: Përmendja e ime dhe e bashkëshortit tim, është e vërtetë. Bashkëshorti im ofron shërbim informacioni prej vitit 2006, mirëmbajtje të shërbimit të hjostit e internetit me shërbim 16 mijë lekë. Shërbime që vlejnë në total 112 mijë lekë.Kaq vlen dinjiteti im, 112 mijë lekë? Po familja ime, po prindërit e mi. Si t’ia shpjegoj fëmijëve të mi, familjes time?
Sipas njoftimit zyrtarë të SPAK, Deputetja Klotilda Bushka dyshohet të ketë kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë penguar me hetimin në dosjen Veliaj./vizionplus.tv