Plani urbanistik, Basha takon grupet e interesit
TIRANË- Kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me grupet e interesit në kuadër të finalizimit të planit urbanistik të kryeqytetit. Në fjalën e mbajtur Basha deklaroi se plani synon ti hapë rrugë zhvillimeve për rikonfigurimin dhe konsolidimin urban dhe rigjallërimin nga pikëpamja mjedisore, sociale, njerëzor dhe ndërtimore të qytetit.
Për hartimin e tij janë përfshirë të gjithë energjitë pozitive të qytetit që nga bota akademike ku cdo universitet përfaqësohet, grupet e interesit, biznesi, ndërtuesit, arkitektët, ambientalistët, specialistët e infrastrukturës, sociologë- tha Basha.
Sipas tij, sfidat janë shumë të mëdha dhe përgjigjet që plani i përfunduar duhet tu japë sfidave duhet të jenë të mirëkonsultuara, e bashkërenduara me gjithë faktorët dhe qytetarët.
Ky takim i sotëm është edhe më i ngushtë se me nisjen e procesit ne do përfshijmë në vendimmarrjen finale cdo sektor. Ky konsultim ka qëllim kryesor ti japë vulën e aprovimit punës së deritanishme të grupit japonez, që kanë paraqitur këtë raport progres dhe të hapë diskutimin për cështjet e raportit që presin orientimet e mëtejshme deri në vendimmarrjen finale- tha kryebashkiaku Basha.