E Diel, 1 Nëntor 2026

Planifikoi sulm terrorist në koncertin e Taylor Swift, 21-vjeçari përballet me 20 vjet burg

VJENË, 16 shkurt /ATSH/- Një nga ngjarjet më të bujshme që tronditi botën e muzikës Pop vitin e kaluar është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, sipas “CBS News”.

Prokuroria në Vjenë ka ngritur zyrtarisht akuza të rënda terrorizmi ndaj një 21-vjeçari austriak, i dyshuar për planifikimin e një sulmi në një nga koncertet e yllit amerikan, Taylor Swift të planifikuara në gusht 2024.

Sipas njoftimit të gjykatës, i riu – i identifikuar si Beran A. – përballet me akuza për terrorizëm, pjesëmarrje në organizatë terroriste, ndërtim eksplozivësh dhe përpjekje për blerje të paligjshme armësh. Sulmi dyshohet se ishte planifikuar për t’u kryer gjatë një prej netëve të koncertit në stadiumin “Ernst Happel” ku pritej të mblidheshin dhjetëra mijëra fansa.

Autoritetet austriake bëjnë me dije se i akuzuari kishte shprehur besnikëri ndaj grupit ekstremist, Shtetit Islamik (IS), kishte shpërndarë materiale propagandistike dhe kishte marrë udhëzime online për ndërtimin e një bombe me eksploziv TATP – një substancë e lidhur me sulmet e mëparshme të kësaj organizate. Sipas aktakuzës, ai kishte tentuar gjithashtu të siguronte armë në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.

Nëse shpallet fajtor, 21-vjeçari rrezikon deri në 20 vjet burg, sipas ligjit austriak.

Koncertet e Taylor Swift në Vjenë u anuluan papritur para datave të tyre në gusht 2024, ndonëse rreth 195 mijë deri në mbi 200 mijë fansa ishin të pranishëm ose pritej të merrnin pjesë. Autoritetet njoftuan në atë kohë se kishin parandaluar një sulm të planifikuar nga IS që synonte vrasje masive.

Vetë artistja reagoi publikisht, duke pranuar zhgënjimin për anulimin, por duke falënderuar forcat e sigurisë për ndërhyrjen në kohë – që shmangu një tragjedi të mundshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›