E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasnë juridiksat

Alban SEJDINI*

Një këngëtare mejhanesh u shpreh në një emision televiziv para disa vitesh, se edhe pse kishte qenë shumë e zënë, do ti fus edhe një juridik (!). Nëse dikur ishte plasnë çokollatat, ka ca kohë që shkon më shumë plasnë juridiksat. Inflacioni i jashtëzakonshëm i prodhimit të juristëve në Shqipëri është tashmë edhe më i madh se inflacioni i çmimeve pak përpara natës së ndërrimit të viteve. Në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në një vit X rreth 500 futen në vit të parë dhe mbi 600 dalin pas diplomimit. Nuk duhen harruar edhe disa mijëra të prodhuar nga sistemi part-time dhe sidomos nga bizneset akademike. Çdo vit, as hapja e portave të Fierzës nuk bën aq dëm sa juridiksat e rinj në tregun e punës dhe sidomos në të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre të tanishme e të ardhme. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë tragjikomike për të gjithë ata, që nuk janë djali apo vajza e dikujt që ka një apo shumë lidhje, Shqipëria është vendi ku drejtësia është përjashtimi, jo rregulla.

Megjithatë, fenomeni i inflacionit të juridiksave në këtë shtet është më interesant se një njeri që kafshon qenin. Hordhi të tëra vajzash e djemsh lënë gjimnazet me ëndrra të mëdha, për të studiuar për drejtësi apo për të qenë jo thjesht pjesë e sistemit të drejtësisë, por në krye të tij. Një pjesë e këtyre gjimnazistëve e kanë të paktën nga një jurist në familje, fis apo shoqëri të ngushtë, në mënyrë që ti ngecen në përgjegjësi si këlyshi kangurit në marsup. Një pjesë tjetër e ka të paktën nga një militant të gradave të ndryshme në familje, fis apo shoqëri të ngushtë, në mënyrë që ti marrë dhjetat në sezon duke numëruar mizat për inat të atyre ngjitur, që para provimeve thyejnë kokën duke lexuar. E gjithë pjesa tjetër e të regjistruarve për juridik e kanë kryesisht nga pasioni, ëndrrat e dëshirat e parealizuara të prindërve, nga gënjeshtrat politike që dëgjojnë në televizor, por edhe nga makinat e bukura e pamja luksoze e gjyqtarucëve. Aspirantët e tjerë për juridiksa, që studiojnë part-time e sidomos në bizneset akademike, është gjynah të merren në konsideratë, sepse një përshesh duan të hanë të shkretët.

Falë këtyre politikave qeveritare, në çdo çukë, kodër, brinjë a gërxh do të hasim juristë në të ardhmen e afërt. Kujdes kur ti flisni kamarierit në bare e restorante, sepse mund tju akuzojë për shkelje nenesh e procedurash. Mos i hidhni letrat, që mbështjellin kumbullat apo misrat në verë, sepse shitësja mund të ketë përdorur librat e saj të juridikut në një formë më fitimprurëse nga sa kishte parashikuar. Shoferi i taksisë mund tju recitojë vargje nga Kushtetuta, punëtori i ndërtimit do tju ankohet për moszbatimin e rregulloreve të sigurisë, ndërsa në rastin më të mirë edukatorja e kopshtit do ti mësojë fëmijëve tuaj të belbëzojnë fjalët prevaloj, ngërç juridik, Strasburg apo xhudiciare. E gjithë kjo havale juridikore ndodh në një shtet, që i bën më tepër rezistencë ligjit se Skënderbeu turkut.

Juridiksat e rinj të thirrur tek emisioni i Fevzos para ca kohësh e kanë kuptuar këtë koncept, prandaj edhe ishin të bukur për tu parë, por të shëmtuar për tu dëgjuar. Nuk kanë faj ato vajza dhe djem me të folur të paqartë, sepse shembujt e padrejtësisë në këtë shtet janë më të mëdha se shembujt e drejtësisë. I pari fare është fakti, që personat e aftë dhe me integritet profesional e njerëzor janë kthyer në specie në zhdukje nën thundrën e qenieve të paafta dhe me integritet të dyshimtë. I dyti është mungesa e kulturës së ndëshkimit për këdo person publik të politikës, gjyqësorit e medias, që eksitohet nga mashtrimet e vjella vetë gjithë ditën e ditës dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. I treti është pikërisht sistemi gjyqësor në Shqipëri, ku 70 mijë lekë rrogë, çuditërisht mjaftojnë për të pasur Mercedes relativisht të ri, orë floriri, disa prona të patundshme e mundësisht edhe një ose dy dashnore, që gjithsesi duan pjesën e tyre. Dhe po të mendosh që ka ministra, të cilët duhet të paguajnë një këst mujor kredie më të madh se dy rrogat e futura në shtëpi, këto duken çikërrima.

Kjo është pak a shumë maja e ajsbergut për sa i përket gjendjes, në të cilën po vërshojnë juridiksat e sotshëm në jetën profesionale. Megjithëse të gjithë janë të vetëdijshëm ose të paktën dëgjojnë për raste korrupsioni e padrejtësie ulëritëse në sistemin politik e gjyqësor, sërish nuk rreshtin se ëndërruari për atë diplomë. Megjithëse në Shqipëri është luks të bësh gjyq kundër drejtorisë së rrugëve për të marrë zhdëmtim për amortizatorët, askush nuk heq ende dorë nga juridiku.

E gjithë kjo mund të vijë edhe për pasojë të një keqkuptimi ose mashtrimi të madh: interesi madhështor për tu diplomuar si juridiks vjen si pasojë e dëshirës për të dhënë kontribut në drejtësi apo për të ngrënë ndonjë llokmë në padrejtësi? Më lehtë dhe më mirë është të gjesh llokmën tënde dhe ta mbllaçitësh me ngadalë, pa e kapërdirë menjëherë, se përndryshe bie në sy dhe etiketohesh si i korruptuar.

*Rubrikën Made in Albania të autorit, mund ta ndiqni të premte ose të shtunë në Shekulli dhe Shekulli Online

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›