E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Platforma online për financat e partive politike, Celibashi: Do garantojë transparencë, të mos abuzohet me paratë

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi gjatë një takimi të mbajtur këtë të mërkurë (19 prill) mbi platformën online lidhur me raportimin financiar të partive politike, ka deklaruar se nuk do të jetë një procex i thjeshtë, por është mundësi e mirë për ushtrimin e kontrollit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Jemi në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe askush prej përdoruesve akoma nuk familjarizuar plotësisht me këtë sistem. Por qoftë dhe formalisht nga pikëpamja e asaj ccfarë kishim objektiv, mendoj se e kemi realizuar qëllimin dhe i partnerëve e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian ishte që këtë projekt ta kishim gati për zgjedhjet e 14 majit dhe raportimi i subjekteve zgjedhore mbi financat e kësaj fushate të bëhet përmes kësaj platforme. Ky nuk është një proces i thjeshtë”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ vijoi më tej duke u bërë thirrje partive politike që të mos shpenzojnë para pa limit gjatë fushatës zgjedhore, e cila mbyllet më 12 maj. Platforma online, sipas Celibashit do të garantojë më shumë transparencë për shpenzimet që kryejnë partitë politike gjatë periudhës elektorale.

“Të gjithë ne kemi nevojë të familjarizohemi mbi përdorimin e këtij sistemi. Jemi duke e bërë, besoj se tani por edhe në ta ardhmen, bashkëpunëtor të KQZ, veçmas këshillit të europës por edhe DEA, mund ti bashkëngjiten projekteve të KQZ për konsolidimin e këtij sistemi për zhvillimin e programeve të trajnimit të përdoruesve të ndryshëm të këtij sistemi, nga financierët e partive politike, apo personat përgjegjës që merren me raportimin e financave prej partive politike apo subjekteve zgjedhore, monitoruesve, por dhe organizatave të shoqërisë civile mbi mënyrën si ato ta përdorin në mënyrë eficente për qëllime apo interesat e tyre.

Nuk besoj se do jetë kaq e thjeshtë dhe do ketë kaq transparencë dhe mundësi për të bërë publike çdo abuzim, por mendoj se do jetë diçka ndryshe nga herët e tjera. Mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura partitë politike që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre dhe interesin e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore”, tha Celibashi.

Platforma elektronike do të shërbejë për raportimin e partive politike për të ardhurat dhe shpenzimet gjatë vitit kalendarik dhe gjatë fushatës zgjedhore, raportimin e audituesve ligjorë të financave të partive politike dhe raportimin e monitoruesve të fushatës zgjedhore.

Zhvillimi dhe prezantimi i Platformës Elektronike është mbështetur nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri (pjesë e Instrumentit Horizontal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Faza e III), i cili synon të kontribuojë në forcimin e masave kundër korrupsionit, pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit në përputhje me standardet europiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›