Platformat drejt Shqipërisë 2030, Rama ndan pamje nga Kuvendi Rinor në Korçë

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kuvendet Rinore Socialiste që po zhvillohen në gjithë vendin do të kulmojnë në 1 shkurt, me Kuvendin Kombëtar për Shqipërinë 2030.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga Kuvendi Rinor Socialist i Korçës, ku të rinjtë shpalosën platformat e tyre drejt Shqipërisë 2030.
Duke marrë fjalën në këtë Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, njëherësh dhe drejtues politik i PS-së në qarkun e Korçës vlerësoi kontributin e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH) në rrugëtimin e PS-së.
“Data 15 janar 1992 është dita kur u themelua organizata politike, Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar. Mirënjohje e falënderim për të gjithë ata të rinj që në një kohë shumë më të ndryshme dhe shumë më të vështirë se kjo e sotmja krijuan një organizatë me një mision të rëndësishëm por edhe shumë të vështirë”, tha Peleshi.
Peleshi shprehu bindjen se pa FRESSH, që shërbeu si një pasqyrë që i dilte para partisë për t’i treguar gjithmonë se nga është Europa, nga është e ardhmja, shërbeu për ta korrektuar dhe drejtuar gjithë rrugëtimin e PS-së në vite gjithmonë drejt perëndimit, PS nuk do të ishte kjo parti që është sot”.
“U krijuan shumë organizata, grupe politike, kulturore, artistike. Ishte koha e ëndrrës së madhe të Shqipërisë si gjithë Europa. Sistemi i vjetër ra dhe studentët e asaj kohe bërtitën ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Shumë organizata lindën por organizata që pati misionin më të vështirë ishte Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar”, tha Peleshi.
/m.m/j.p/