E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini i përgjigjet me qetësi paralajmërimeve të Trump për sanksione nëse nuk i jep fund luftës

MOSKË, 23 janar /ATSH-DPA/- Moska iu përgjigj sot me qetësi paralajmërmeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve në rast se nuk i jepte fund luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

“Ne nuk shohim ndonjë element të ri këtu”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për deklaratën e Trump se ai do të vendoste taksa, tarifa dhe sanksione të larta nëse Moska nuk i jepte fund luftës ndaj Ukrainës.

Ai iu referua deklaratës së Trump: “Unë do t’i bëj Rusisë një favor shumë të madh, ekonomia e së cilës po dështon. Zgjidheni tani dhe ndaloni këtë luftë qesharake! Vetëm do të përkeqësohet situata”, tha Trump.

“Nëse nuk bëjmë një marrëveshje së shpejti, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që Rusia i shet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse”, tha Trump në rrjetin e tij social “Truth”.

“Ekonomia ruse po zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme pavarësisht disa problemeve”, tha Peskov.

Ai vuri në dukje se Rusia po ndjek nga afër retorikën në Uashington, por mbetet e gatshme për një dialog të respektueshëm.

Trump, i cili mori detyrën të hënën, tha më herët se është i gatshëm të bisedojë me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund konfliktit.

Trump iu referua gjithashtu humbjeve ruse në Luftën e Dytë Botërore, duke thënë se “Nuk duhet të harrojmë kurrë se Rusia na ndihmoi të fitojmë Luftën e Dytë Botërore, duke humbur pothuajse 60 000,000 jetë në këtë proces”.

Peskov hodhi poshtë shifrën e fryrë të viktimave, por ai theksoi se Rusia nuk kishte ndihmuar, por kishte dhënë kontributin më të rëndësishëm në fitoren ndaj fashizmit.

“Ishte SHBA-ja ajo që luajti një rol ndihmës”, tha ai, duke shtuar se Rusia nuk do ta harronte kurrë këtë ndihmë.

Hulumtimi historik vlerëson 27 milionë të vdekur nga lufta në Bashkimin Sovjetik.

Në të njëjtën kohë, Peskov i bëri një ftesë indirekte Trumpit për t’u bashkuar me paradën ushtarake vjetore të Moskës që shënon fundin e luftës.

“Shpresojmë që amerikanët dhe presidenti Trump të ndajnë me ne gëzimin e festimit të 80-vjetorit të Ditës së Fitores”, tha ai.

Rusia feston 9 majin si Ditën e Fitores ndaj fashizmit të Hitlerit, duke organizuar një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq për të shënuar këtë rast. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›