Plazhet publike, Kepi i Rodonit u rikthehet qytetarëve, Rama: Akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot pamje nga lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit, përgjatë bregdetit të Durrësit, duke theksuar rikthimin e këtyre hapësirave për qytetarët dhe pushuesit. “Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit, duke garantuar akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë,” shkroi Rama në postimin e tij.
Ky zhvillim vjen në kuadër të operacionit “Plazhe të pastra”, i cili ka nisur që më 15 qershor. Përmes këtij operacioni, Agjencia Kombëtare e Bregdetit po mbështet tetë bashki bregdetare, përfshirë Bashkinë Durrës, në pastrimin dhe menaxhimin e plazheve.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare të Durrësit, këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, duke u dhënë mundësi pushuesve të kenë akses në segmente të ndryshme të bregdetit. Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur për orientimin e pushuesve.
Kepi i Rodonit përshkruhet si një tjetër perlë e Adriatikut, duke ftuar vizitorët të shijojnë jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë e pasur që mbart ky vend. Me formën e një trekëndëshi, Kepi i Rodonit shtrihet si një gadishull në Detin Adriatik, midis gjirit të Rodonit dhe atij të Lalëzit.
Lirimi i këtyre hapësirave publike pritet të rrisë magjinë e Kepit të Rodonit si një destinacion turistik, duke ofruar më shumë mundësi për pushime me dinjitet dhe me akses të gjerë për të gjithë vizitorët.
/rtsh.al/