Plazhi i Durrësit gati për turistët, Sako: Bashkia 3 herë në ditë pastrim

Plazhi i Durrësit është gati për pritjen e pushuesve, të cilët këtë vit pritet të jenë të shumtë në numër. Bashkia e Durrësit është në përfundim të realizimit të masave për sezonin turistik, duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në plazhin më të madhe të qytetit.
Në një prononcim për mediat kryetarja e bashkisë Durrës Emiriana Sako është shprehur se për momentin 80 për qind e hoteleve që gjenden ne vijën e parë të plazhit janë të prenotuar për gjithë sezonin, ndërkohë që këtë vit pritet të tejkalohet shifra e 1 milion turistëve që kanë vizituar vitin e kaluar Durrësin.
Bashkia pritet të ketë një kujdes të shtuar edhe në drejtim të menaxhimit dhe pastrimit të plazhit nga mbetjet urbane, të cilat do të largohen 3 herë në ditë.
Këtë vit, pas vendimit të qeverisë, ka ndryshuar raporti I hapësirës publike me atë private në plazhet e gjithë vendit.
30 për qind e hapësirës do të jetë në dispozicion për publikun pa pagesë, ndërsa 70 për qind do të jenë parcela private që do të menaxhohen nga hotelet buzë detit.
Bashkia e Durrësit administron një vijë të gjatë bregdetare që nis nga Kepi I Rodonit në veri të Durrësit deri në Shkëmbin e Kavajës, në kufi me Golemin.
/rtsh.al/