E Enjte, 5 Nëntor 2026

Plazhi i Shëngjinit destinacioni i preferuar i turistëve edhe në këtë fundtetor

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Edhe pse jemi në ditët e fundit të tetorit, plazhi i Shëngjinit mbetet një nga destinacionet e preferuara për vendasit, por edhe për turistët e huaj.

Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu përmes një albumi fotografish ka treguar se plazhi i Shëngjinit është frekuentuar këtë fundjavë, nga pushues të të gjitha moshave, që duket se nuk kanë preferuar vetëm të shijojnë temperaturat e larta që rezervon fundi i muajit, por edhe të lahen në det.

Moti i ngrohtë, plazhet e pastra dhe qetësia kanë bërë që njerëzit të “arratisen” nga zhurma e qytetit, për të shijuar disa orë në bregdet për një xhiro, e pse jo, edhe për t’u larë.

Shëngjini, po kthehet një nga destinacionet e pëlqyera për turizëm gjatë gjithë vitit dhe këtë e dëshmojnë edhe fotot e fundit nga bashkia e Lezhës.

Lezha ofron për turistët mundësinë të shijojnë jo vetëm bregdetin, por edhe historinë, natyrën si dhe kulinarinë e pasur të zonës, duke e bërë një destinacion për turizëm gjithëvjetor. Turistët kanë mundësi zgjedhjeje të larmishme në Lezhë, pasi janë të shumta aktivitetet ditore.

Vizitorët mund të zgjedhin peshkim në det apo në grykëderdhjen e lumit Drin, vrojtim shpendësh në lagunat e Kunes e Vainit. Për vizitorët janë ndërtuar tri kulla vrojtimi, një në Kune dhe dy në zonën e Vainit. Ato shërbejnë për të eksploruar zonën si dhe për të vrojtuar shpendët e shumtë.

Të eksplorosh lagunat e Kunes dhe Vainit për biodiversitetin e tyre, natyrën tërheqëse e çlodhëse është mundësi e mirë edhe për piknik, apo për të shijuar kuzhinën e zonës.

Turistët mund të udhëtojnë me skafe drejt “Ranës së Hedhun” për të parë një eksperiencë ndryshe të një prej plazheve më të bukur shqiptarë.

Foto nga plazhi i Shëngjinit në Lezhë, me turistë të të gjitha grupmoshave këtë fundjavë 1 nga 16

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›