E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pluhuri Vdekjeprurës

Sardenja nuk është vetëm një prej vendeve më të bukura për të kaluar pushimi vjetor. Në këtë ishull italian ekziston edhe poligoni për testimin e armëve. Gjatë këtij testimi vjen deri te lirimi i gazrave helmuese. Ky edhe ishte inspirimi i Massimo Carlotto për romanin e tij të ri “Pluhuri Vdekjeprurës”. Sikurse edhe shumëçka në Itali, edhe ky rrëfim ndërlidhet me mafian italiane, por edhe me ato kosovare e serbe.

Ngjarja e romanit “Pluhuri Vdekjeprurës” bazohet në një skandal të vërtetë. Vitin a kaluar gazeta gjermane ‘Tageszietung’ shkroi për një zonë gjigante në Sardenja në të cilën ushtria dhe prodhuesit e armatimit i testojnë armët e tyre të reja. Krahas kësaj, ajo që binte në sy atje ishte edhe numri në rritje i sëmundjeve kancerogjene dhe i deformiteteve, qoftë tek njerëzit apo edhe tek kafshët që jetojnë përreth këtyre poligoneve. Pikërisht nga këto fakte Massimo Carlotto duket se shtrydhë gjithë materialin për trilerin e tij fiktiv.

Në fillim të romanit lexuesi fiton përshtypjen se në të bëhet fjalë për një rrëfim të klasit të parë që merret me zbulimin e një skandali ekologjik, edhe pse shumë shpejt ky rrëfim shndërrohet në një roman goxha brutal për mafian. Carlotto përshkruan në mënyrë shumë të detajuar dhe të qartë sesi njerëzit e paskrupullt veprojnë nga prapavija, për të parandaluar veterinaren e re Nina që të publikojë zbulimet deri tek të cilat erdhi lidhur me sëmundjet e dhive dhe të deleve. Pierre Nazari, dezertori që shantazhohet nga një organizatë, ngarkohet që të vjedhë të gjitha rezultatet e hulumtimeve të saj. Duke e bërë këtë, Pierre gjithnjë e më tepër kurthohet brenda një rrjeti të rrezikshëm të fshehjes së të vërtetës, pushtetit dhe parave – pjesë e të cilit nuk është vetëm policia e korruptuar, por edhe ushtria, politika dhe mafia.

Poligon me qira

“Në Itali ekziston një fenomen interesant, që është libri hulumtues kriminalistik”, shprehet Massimo Carlotti.

“Meqenëse në Itali nuk ka gazetari hulumtuese, lexuesit kërkojnë romane që trajtojnë tema të caktuara. Nëse njerëzit dëshirojnë ta kuptojnë të vërtetën për një gjë, ata atë e kërkojnë për shembull, në librat kriminalistikë. Mua më thërrisnin njerëzit nga ajo pjesë, dhe më kërkonin që të shkruaja për atë që po ndodhte atje”, tregon Carlotto.

Botimi i romanit mundësoi që e vërteta për poligonin për testimin e armëve të dalë në opinion.

“Sot kjo e vërtetë nuk mund të heshtet më”, pohon autori i romanit. “Njerëzit dëshirojnë që ai poligon të mbyllet. Në trupat e ekshumuar u vërtetua prania e toriumit të helmueshëm – një element ky radioaktiv kimik. Njerëzit vdesin nga helmet që lirohen nga shpërthimi i municionit. Bëhet këtu fjalë për njëlloj kontaminimi ekologjik. Mendoj se e gjithë kjo do të rezultojë me mbylljen e poligonit. Është skandaloze që ai poligon jepet edhe me qira. Secili prodhues i armatimit apo municionit mund të testojë aty çfarë të dojë, nëse fillimisht i paguan 50,000 euro për një orë”.

Kriminelët e bashkuar të Evropës

Në librin “Pluhuri Vdekjeprurës” verilindja e Italisë portretizohet si njëlloj laboratori i i kriminalitetit.

“Lidhje ndërmjet krimit të organizuar, ekonomisë, botës financiare dhe politikës është shndërruar në një sistem. Në një sistem që ka vite që funksionon. Gjithçka filloi me shpëlarjen e parave. Këtu ka shumë vite që ekziston Camorra de Casalezi, Ndrangheta, dhe mafiat nga Kosova e Serbia. Ekziston pra një sistem i fuqishëm kriminal, i cili funksionon në ilegalitet, dhe si qëllim kryesor ka shpëlarjen e parave.

Çdo gjë bazohet mbi idenë e një zhvillimi ekonomik, i cili, në të vërtetë, bazohet mbi veprime ilegale, si shmangia e tatimit, puna në të zezë, etj. E, gjithë kësaj duhet shtuar edhe transferimi i fabrikave në Evropën Lindore, para së gjithash në Rumani. Në këtë mënyrë u krijuan kushte prefekte për kriminalitetin”, përfundon Carlotto.

Ndryshe, Massimo Carlotto konsiderohet të jetë ndër shkrimtarët më të suksesshëm italianë. Si simpatizant i së majtës ekstreme, gjatë viteve të 70’ta të shekullit të kaluar ai kishte vuajtur një dënim me burg për shkak të një vrasjeje të supozuar – edhe pse në fund u shpall fajtor. U amnistua në vitin 1993. Aktualisht jeton në Sardenja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›