Si u njohën Bono e Kyi

Bono (52) njihet si përkrahës i betejës së padhunshme të Suu Kyi kundër juntës ushtarake në Mianmar.
E gjatë konferencës së ndërmjetësve paqësorë në Oslo Bono dhe Suu Kyi patën rast që për herë të parë t’iu përgjigjeshin bashkë pyetjeve të pjesëmarrësve, para se të fluturonin me aeroplan privat drejt Dublinit, ku u mbajt një i madh për nder të ikonës së rezistencës paqësore të Mianmarit. Në vitin 2000, Bono shkroi hit-këngën “Walk On” (Marsho) për nder të Suu Kyi, së cilës në vitin 2009 U2 ia kushtoi edhe turneun botëror – edhe pse Bono kurrë s’u njoh me të.
"Suu Kyi ishte pranë nesh në koncertet që u vizituan nga shtatë milionë njerëz. Ishte aty për çdo natë, qoftë edhe në versionin e saj digjital. Mirëpo, është shumë më mirë kur atë ta shohësh për së gjalli”, theksoi ylli i U2.
Suu Kyi pranoi se, Bono e kishte prekur shumë me këngën e shkruar nga perspektiva e burrit të saj anglez, Michael Aris – i cili gruan e tij nuk e pa që nga viti 1995 e deri më 1999, kur edhe vdiq nga kanceri.
"Është mirë kur keni mbështetje, kur rreth vetes keni njerëz që ju kuptojnë. Edhe pse, në fund, janë vetë këmbët tuaja ato që ju shpijnë përpara”, tha Suu Kyi - një ditë para se të mbushte 67 vjet - derisa po qëndronte në Oslo për të marrë çmimin Nobel për Paqe, që i ishte ndarë 20 vite më herët.
E në Dublin, Bono ia dorëzoi asaj mirënjohjen kryesore të organizatës Amnesty International. Në Dublin ishin mbledhur afro 5,000 njerëz për të dëgjuar këngën e ditëlindjes, të cilën Suu Kyi e kremtoi një ditë më vonë në shtëpinë e saj familjare në Britani.
Ndryshe, pas lirimit të saj nga arresti shtëpiak (në nëntor të vitit 2010) liderja e lëvizjes së Mianmarit për demokraci sërish iu kthye aktiviteteve politike. Në prill të vitit 2012 ajo fitoi një mandat si deputete në parlament. Gjatë vizitës dyjavore në Evropë, Suu Kyi përveç Britanisë së Madhe, e Irlandës do të vizitojë edhe Francën. Para Norvegjisë, ajo e vizitoi edhe Zvicrën.