E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Plumbi i artë’, biznesmeni Lulzim Masha dëshmon ndaj atentatit të bërë para tre vitesh: Atentatori po më priste te një kthesë e fortë! Suel Çelën nuk e njoh

Në dëshminë e tij, ai përshkruan si u përball me rrezikun, pa pasur asnjë konflikt apo borxh me dikë, dhe falë një çasti të fatit, shpëtoi pa lëndime.

Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’. Pronari i një shkolle private në Tiranë, Lulzim Masha, rrëfen me detaje momentet e tmerrit kur i shpëtoi atentatit të armatosur në mes të qytetit.

Në dëshminë e tij, ai përshkruan si u përball me rrezikun, pa pasur asnjë konflikt apo borxh me dikë, dhe falë një çasti të fatit, shpëtoi pa lëndime.

Për këtë episod akuzohet se u angazhua vrasësi me pagesë Skerdi Tasi, i cili është kthyer në bashkëpunëtor drejtësie.

Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh, po shkoja si zakonisht te shkolla kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk e kuptova çfarë ndodhi, e pashë nga pasqyra që një djalë i gjatë po mbushte armën. Unë e ktheva makinën dhe thashë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë sepse pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot të dëshmoj. Si i thonë, jetgjati nuk bëhet, jetë e shkurtër.

Isha vetëm në makinë, plumbat ishin nga krahu i shoferit tek tranversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm.

Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari kur ecin njerëzit për vrap, sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Jetonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë konflikt apo borxh, kurrë. Suel Çelën se njoh as, se kam takuar ndonjëherë, vetëm ca kam dëgjuar në TV”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›