Dhunoi bashkëjetuesen e tij shtatzënë, arrestohet në Serbi 24-vjeçari

Një 24-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dhunë ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë, është arrestuar në Serbi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Klejvis Metalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
“Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Beogradit, u arrestua provizorisht në Serbi, në vijim të operacionit “The Wanted”, shtetasi shqiptar, K. M., 24 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore shqiptare dhe atyre serbe, për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.
/rtsh.al/