Plumbi i paralizon këmbën e djathtë të Dajtit, ja kartela mjekësore e tij
TIRANË- Dritan Dajtit i paralizohet këmba e djathtë nga predha e plumbit të agjentëve të policisë që ende nuk i është hequr, por që i ka prekur shtyllën kurrizore. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtori i Spitalit të Burgut z.Ylber Vata, i cili shpjegoi për "Shekullin" gjendjen shëndetësore të "vrasësit" të katër agjentëve të policisë pasditen e 7 gushtit në plazhin e Durrësit. Sipas drejtorit Vata, gjendja e përgjithshme shëndetësore e Dajtit është normalizuar, përveç dëmtimit që ka pësuar nga predha e plumbit të marr në fund të shtyllës kurrizore, predhë e cila ia ka paralizuar këmbën e djathtë. "Gjendja shëndetësore e shtetasit Dritan Dajtit është e mirë dhe sot (dje) i është parë plaga e mjekuar atë ditë nga Spitali i Durrësit.
Ai është jashtë rrezikut për jetën. Njëra këmbë, ajo e djathta konsiderohet e paralizuar, por, që me ndihmën e një fizioterapisti ajo mund të kthehet në gjendje paksa normale"-nënvizoi drejtor Vata që me profesion është kirurg. Sipas kartelës mjekësore që drejtori Vata mbante mbi tavolinë, shpjegohen të gjitha ekzaminimet shëndetësore të kryer ndaj personit të tij, që nga dita e shtrimit në Spitalin e Burgut e deri pasditen e ditës së djeshme. Brenda kartelës mjekësore që mban nr. 317 dhe në fund të saj shkruhet emri i të arrestuarit tashmë Dritan Dajti, përveç evidentimit të të gjitha ekzaminimeve mjekësore, ndodheshin pamjet e ECHO-së, lastra të radiografisë dhe skanerit.
Nga shpjegimi që i bënë radiografisë dhe skanerit drejtori Vata shpjegon predhat e plumbit të cilat ndodhen në trupin e Dajtit edhe pse kanë kaluar 13 ditë nga ngjarja e shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe agjentëve të policisë që po tentonin të arrestonin. Sipas kirurgut Vata, "shtetasi Dritan Dajti ka në trup dy predha të plumbave. Një në pjesën e kofshës së djathtë, e cila ndodhet ende në muskul dhe tjetra në pjesën e fundit të shtyllës kurrizore të anës së majtë, që i ka bllokuar kështu këmbën e djathtë"-tha Vata, duke shtuar se nëse pas operacionit të heqjes së plumbit kryhet një terapi intensive me një fizioterapisti gjendja e këmbës mund të rikthehet në normalitet, kuptohet jo si para goditjes me plumb.
Gjithashtu në kartelën që drejtori Vata e kishte mbi tavolinë, brenda saj evidentohen të gjitha ekzaminimet mjekësore, që nga operimi i kryer nga kirurgët e Spitalit të Durrësit të cilët kishin konstatuar një hematomë (ënjtur) të mbushur me gjak, e cila tashmë i është pastruar pas mjekimeve të marra. Mjekët e Spitalit të Durrësit, gjithashtu kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në krahun e majtë të Dajtit ku ka marr një plumb tjetër që ka qenë tejëshpues. Ndërsa, kanë konstatuar dy predhat e plumbave që i kanë ngecur në trup, ai në kofshën e djathtë dhe në fund të shtyllës kurrizore të legenit të majtë, që i ka paralizuar lëvizjet e këmbës së djathtë.
Në këtë kartel, evidentohen edhe shqetësimit që Dajti ka me diabetin dhe kolitin, sëmundje për të cilat merr edhe mjekimet e nevojshme. Gjithashtu, në fund të takimit drejtori i Spitalit të Burgut kirurgu Vata konfirmoi se, ekzaminimet laboratorike, radiografike dhe të skanerit janë kryer në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në kryeqytet, ku me datë 14 gusht Dajti i është nënshtruar ekzaminimit të skanerit, ku është lokalizuar vend ndodhja e dy predhave që ende ndodhen në trupin e Dajtit.
"Pritet normalizimi i gjendjes së përgjithshme shëndetësore të Dritan Dajtit dhe me lejen e këtij të fundit mund të kryhet ndërhyrja e neurokirurgëve për t'ia hequr predhën e plumbit nga kurrizi",-tha Vata, duke shtuar se dëmtimet e nervit të shtyllës kurrizore tashmë janë shkaktuar nga goditja e plumbit të marr më 7 gusht 2009 në Durrës dhe nuk ka kthim prapa.