Plumbi që më vrau dhe mua
Shoku i Hekuran Dedës tregon momentet e tmerrit dhe dëshminë e dhënë në prokurori. Telefonatat fyese dhe kërcënuese, pas denoncimit të gardistëve. Rrëfimi i 38-vjeçarit që tashmë ndiqet penalisht për kundërshtim të punonjësve të policisë
Nga Sebi Alla
Nuk e ka fort të lehtë të dalë në Tiranë. Takimi me Hysniun është paksa i vështirë, nevojiten disa telefonata dhe shkoqitje e hollësishme se përse duhet të flasë. I ngjan sikur është etiketuar si një person i padëshiruar për një kontigjent njerëzish, ai grup mediokër që gjithçka e lidh me politikën. Por Hysniu ka të tjera halle, në mendje i qëndron një ditë që zor se do i shqitet sa kohë që zemra ti rrahë. Megjithatë pranon të flasë lirshëm, pa drojë, pa frikë dhe me disa parime malësori. Është një nga shokët e ngushtë dhe miku i Hekuran Dedës, njeriut të parë që u vra në demonstratën e 21 janarit para kryeministrisë. Kur të tjerët morën vrapin për ti shpëtuar shënjestrës së çartur të gardistëve të Republikës, që mbronin me breshëri plumbash kryeministrinë, Hysniu u gjend pranë Hekuranit. Vendosi duart në kokën e shokut që ishte në grahmat e fundit të jetës, me shpresë se po i vinte në ndihmë. Mbeti pas vetëm një klithmë dhimbje: Hekuran, çfarë ke Hekuran?! Të ka kapur plumbi mor Hekuran?! thirrni ambulancën, e vranë mor e vranë Janë fjalët e Hysni Peposhit, poshtë platformës ku ishin ngjitur për të parë çpo ndodhte. Është zëri i marrë nga celulari i tij që kishte mbetur hapur tek regjistrimi. Hysniu kërkon drejtësi, por më parë do i duhet edhe të përballet me drejtësinë, për një ngjarje të mjergullt që ndodhi pak kohë para zgjedhjeve lokale. Kur të tjerët votonin e politika ishte kapluar vetëm nga ethet e numërimit, 38-vjeçari përballej me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të rendit. Një dosje ende e hapur, por 38-vjeçarin nuk e shqetëson shumë kjo, por dita e 21 janarit.
I riu me origjinë nga Kukësi kërkon një vend neutral, diku pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Jeton në fshatin Laknas, por gjen kohë të udhëtojë deri në Laprakë. E takojmë pasdite dhe teksa vjen, hedh edhe një herë vështrimin nga porta kryesore e Spitalit Ushtarak. Atë prag që e kaloi duke transportuar shokun e tij Hekuran Deda. Koha ka kaluar disi, sapo janë mbushur gjashtë muaj nga kjo ngjarje e rëndë, por tradita e kërkon që për vdekje të tilla të përkujtohen të shtatat, dyzetat, gjashtëmuajt, madje edhe viti. Djali thatim zgjat dorën dhe të përshëndet me traditat e një malësori. Theksin e ka si nga anët e tij, pavarësisht se ka rreth 24 vjet që jeton në Tiranë. Është një personazh i njohur që kaloi nga objektivat e shumë kamerave dhe aparateve fotografikë. Megjithatë këtë bujë ai nuk e dëshiron shumë. Do preferonte të kishte një jetë të qetë, të mendonte për të ardhmen e fëmijëve, të pinte kafenë e mëngjesit me shokun e tij Hekuran Deda, apo të shihte edhe një shans më të mirë ekonomik larg Shqipërisë, por me rrënjët në vendin e tij. Duhet pak kohë për tu futur drejt e në temë, por ajo ditë është e nevojshme të rikujtohet përsëri nga Hysniu. Burri nuk qan, çfarëdo që ti ndodhë duhet ta përballojë, por ishte e rëndë ajo ditë. Sytë i mbushen sërish me lot, a thua se ngjarja ka ndodhur vetëm ca ditë më parë. Tërheq plot forcë një cigare të fortë LM e kuqe dhe fije tymi nuk nxjerr nga goja e hundët. Për të është si një oksigjen që e ndihmon të mbledhë veten e të kujtojë një ditë që mundohet ta harrojë disi, qoftë edhe për familjen e Hekuran Dedës. Jeta të ndryshon edhe pak sekonda që mjaftuan për shkrehjen e një arme shtetërore që vrau Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Aleks Nikën dhe Faik Myrtajn. Mjaftuan ato momente që Deda të mos jetojë më, që familja të vuajë mungesës e tij dhe shoku i ngushtë të mos bëjë gjumin e rehatshëm, pasi për shumë kohë çdo natë para se të flinte i shfaqej imazhi i Hekuranit që dha frymën disa metra larg kangjellave plumbpërçuese të kryeministrisë. Babai i dy fëmijëve që në fillimin e korrikut ka mbushur 38 vjeç, përqëndrohet dhe me vështrim të thellë nis të flasë me një qetësi të imponuar, sepse duhet për të qenë sa më i saktë. E nis me mëngjesin e 21 janarit
Unë, Hekurani dhe një kushëri i imi ishim në Kamëz duke pirë kafe, më pas vendosëm të shkonim në Tiranë në demonstratë. Për një kohë të gjatë qëndruam mjaft larg, kryesisht në bordurat pranë Lanës. Po shihnim, bisedonim dhe kur dukej se demonstrata po shkonte drejt fundit, tymi dhe flaka e disa automjeteve në zonën e Piramidës, na bëri kureshtarë që të afroheshim më shumë. Hysniu ndez një tjetër cigare dhe rrudh vetullat instiktivisht; tashmë nis pjesa rrënqethëse. Bashkë me Hekuranin u ngjitëm në platformën e ngritur për televizionet. Mbaj mend se Fatos Mahmutaj, (më vonë ia mësova emrin dhe mbiemrin), vjen me një mikrofon në dorë dhe i kërkoi Hekuranit ta ndihmonte për ta ngjitur lart, për një pamje më të mirë. Hapa celularin dhe nisa të filmoja sa të mundja atë çfarë po ndodhte. Unë kam qenë nxënës i akademisë Skenderbej, dhe di edhe rregulloret e përdorimit të armëve. Në fillim nuk po trembesha, por kur vura re se gardistët po ulnin armët duke ia drejtuar turmës, e lëviza celularin drejt portës së kryeministrisë. Filmova momentin e vrasjes së Ziver Veizit, por nuk pashë çfarë kishte ndodhur pak centimetra larg meje. Në fillim bërtita: Kujdes, po na vrasin, ulemi poshtë- kujton Peposhi. Dhe në të vërtetë të gjithë u ulën. Gazetari Mahmutaj i përkulur nis të zvarritet me vështirësi pasi kishte marrë një plumb në dorë. Edhe Hekurani do të zbriste, por pa jetë. Plumbi e kishte kapur në pjesën e kokës pak mbi veshin e majtë, ndërsa i kishte dalë në anën tjetër, duke e lënë gati në sekondë pa jetë. Kaos, shumica ikën, Hysniu qëndroi. U ula poshtë dhe pashë Hekuranin të gjakosur, vendosa duart në kokën e tij, i thirra disa herë dhe bërtita që të vinte ambulanca. Është afruar një grua që më qetësoi paksa kur tha se ishte mjeke. Një djalë hoqi një shall dhe ia lidha rreth kokës Hekuranit. Shoku, fqinji dhe miku im ishte keq, thuajse pa jetë. Shpresoja disi, por gjatë transportit që u krye jo nga ambulanca por një furgon i policisë bashkiake, e kuptova se ishte çështje kohe që ai të konsiderohej zyrtarisht i vdekur. Në momentin që më dhanë lajmin për humbjen e Hekuranit telefonova tim vëlla dhe më pas ai tregoi në shtëpinë e tij.
Ditën e 22 janarit u krye lamtumira e fundit për Hekuran Dedën. Hysniu ishte aty duke mos arritur ti mbushte dot mendjen vetes se gjithçka tashmë kishte përfunduar. Ishte vrarë, nuk jetonte më dhe dy vajzat e mitura do të ishin përgjithnjë jetime. Kërkohej drejtësi, të paktën këtë artikulonin familjarët e Hekuranit, njeriut që u vra si tre të tjerë pa pasur asnjë faj. Pa hedhur qoftë edhe një guralec drejt kryeministrisë. Hysniu thërritet nga prokuroria për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes. Ishte data 25 janar, pikërisht dita që ai dhe Hekurani kishin vendosur që të niseshin drejt Greqisë. Por për të dy gjërat u shuan në pak sekonda. Hekuranit iu mor jeta, ndërsa Hysniu u brengos nga humbja e shokut dhe fqinjit të tij. Gjeti forcë të paraqitej në prokurori dhe për disa minuta rrëfeu gjithçka duke treguar se një nga gardistët me skafandër, në fillim kishte nisur të qëllonte me breshëri, më pas drejtoi armën për nga turma dhe qëlloi tek e tek. Pikërisht për këtë mendon se një nga ato plumba ka përshkuar edhe kokën e Hekuranit. Tregoi se më pas ky gardist kishte ndryshuar drejtimin e armës duke e kthyer për nga dera e kryeministrisë. Në fakt këto ishin disa detaje që prokuroria i kishte të gatshme sepse ekzi