E Martë, 3 Nëntor 2026

“Po bëhet pazar me Amnistinë”, Gazment Bardhi i përgjigjet Bashës: S’do përfitojë asnjë kriminel

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas akuzave të Lulzim Bashës mbi amnistinë penale. Duke folur për gazetarët para nisjes së seancës plenare, Bardhi theksoi se opozita ka mbajtur të njëjtin qëndrim për çështjen e amnistisë penale, si në rastin edhe të Lulzim Bashës.

“Sa i takon amnistisë ka një traditë të konsoliduar në miratimin herë pas here. Opozita edhe kur drejtohej nga kolegu Basha ka dhënë votën pro, me dy dallime te vogla. Asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfiton asnjë lloj amnistie, ndryshe nga sa ka ndodhur në 2014, ku më votë të zotit Basha ka pasur amnisti edhe për anëtarët e krimit.

Asnjë anëtar, subjekt i posaçëm i SPAK, nuk përfiton asnjë lloj amnistie. Ndryshe nga sa është vepruar me të gjitha amnistitë e tjera, kur protestuesit u harruan, në këtë rast janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës dhe shoqërisë civile. Nuk ka asnjë zyrtar të korruptuar apo të hetuar apo që është në proces gjyqësor për të gjitha çështjet që keni ndjekur gjatë këtyre viteve që ka ndjekur nga SPAK dhe GJKKO”, u shpreh Gazment Bardhi.

Ndërkaq më herët, kryedemokrati Lulzim Basha hodhi akuza ndaj grupit të Rithemelimit dhe mazhorancës se po bëjnë pazar me Amnistinë.

Sipas Bashës, nga Amnistia do të përfitojnë të korruptuarit e dënuar nga Prokuroria e Posaçme, pasi do iu ulet dënimi. Po ashtu, sipas kryedemokratit, nga Amnistia Penale përjashtohen protestuesit kundër korrupsionit dhe kriminalizimit të shtetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›