Po tretet plazhi tek Mali i Robit dhe Robi bën sehir
Nga Prof. Asoc. Dr. Myslim PASHA
Dy mijë e pesëdhjetë vjet më parë tek Mali i Robit qëndronte Jul Cezari. Përmendet në disa studime kur këtu do të ndodhte një nga ndeshjet më të mëdha ushtarake ndërmjet ushtrisë së tij dhe asaj të Pompeit. Beteja e romakëve të mëdhenj ndodhnin në trevat e Ilirisë, ku vendoseshin fatet e Romës. Kështu ka ngelur në analet romake, ndërkaq në to jepen hollësi për formacione të vendosura poshtë kësaj kodre, ku ishin hapësira kënetore afër detit dhe një rrjedhë lumi (përroi) që duhet të jetë i Lishanit apo i Darçit. Deti ka qenë shumë më larg sesa vija e sotme.
Sa shumë lëvizje kanë ndodhur, njerëzore dhe natyrore, deri më sot. Hapësira në perëndim të kodrës së Robit apo të njeriut (nuk dihet e saktë gojëdhëna për të) në këto njëzet vitet e fundit është mbushur me aq ndërtime sa smban më. Një katrahurë e vërtetë urbane.
Investime të shumta, hotele, blloqe vilash, qendra pushimi dhe një plazh i pushtuar nga nisma private sa njeriu (pra, ai Robi) ska se ku të zërë një vend. Emra të ndryshëm vilash dhe hotelesh me origjinë toponimesh kosovare, deri tek hapësira që e ka thurur këtu e njëzet vjet më parë Kharafi Grup (Mak Albania) nga Kuvajti.
Në këtë dyndje dhe okupim njerëzor është krijuar gati një xhungël ndërtimore.
Kurse Deti ka çuar më tej synimet e gërryerjes së tij dhe si për inat, edhe ai po kryen masakrën e vet ndaj dheut e rërës së bregut, të cilën po e ha dhe po e ha vijimisht.
Në prag të zhvillimeve demokratike qëndronin në krye të pishave të buta ca kulla vrojtimi si ciklopë me të vetmin sy, ndaj detit kundruall, se mos dukeshin e vinin armiq, në kryeurë (!!!)
Ato ndodheshin më larg, në brendësi, dhe jo në breg, i cili nuk mund të shkelej dot në virgjërinë e tij tragjike. Më pas u ndërtuan bunkerë gjigantë nga ata që do të mbanin brenda tyre artilerinë e rëndë bregdetare. Këto ishin ndërtimet e sistemit të izolimit, që e mbushnin këtë hapësirë që, edhe pse kaq afër, ishte pothuajse e paeksploruar.
Si për hakmarrje, natyra ka bërë një vepër të pazakontë, ka gëlltitur bunkerët e pararojës që janë mbytur, e tash po gërryen në themel Bunkerët e Artilerisë duke i pasur në plan që ti rrëzojë edhe ata.
Këto objekte janë shenja matëse dhe orientuese për të parë se çka bërë këtu deti me erozionin e gërryerjen e tij.
Plazhi tanimë është i kërcënuar. Nuk ka mbetur ende jo më shumë se dhjetë metra në drejtim të hotel Kastratit ndërkaq tek pishina më në jug, Mak Albanias, ai ka ardhur në themel të saj, ku një rojë e trishtuar shikon se çpunë të madhe po bën deti në sy të njeriut.
Këto janë investime.
Plazhet u zunë me aq zullum të madh, u thurën dhe u mbushën me çadra. Nuk ngeli asnjë rrip për të ardhur njerëzit e lirë nga fshatra e qytete që të rrinin disa orë në bregdet.
Kurse ja, tani, erdhi Deti.
Ne flasim për Malin e Robit, por alarmi është dhënë qyshkur se çfarë spektakle ka shfaqur Deti në Plazhin e Semanit, të cilin e ka zhdukur nga faqja e fheut dhe e rërës së dikurshme, se si i përpiu muret e gurit të nja treqind ndërtesave dhe betonin në thellësi të tij. Atje rron tani e kërrusur mbi valë një kullë uji që ish ndërtuar para tridhjetë vjetësh për të furnizuar me ujë të pijshëm plazhin.
Kështu përditë vijnë kumte po kaq dramatikr në plazhin e Patokut e, edhe më në veri, në Velipojë. Ndërkohë, ishulli i Franc Jozefit në grykëderdhje të Bunës është shndërruar në një gadishull të vogël.
Duke vëzhguat vetëm një segment me zgjatim prej 2.7 km në plazhin e Malit të Robit në rreth 20 vjet, del se gërryerja detare ka gllabëruar 10 ha plazh. Ndërkaq, në pika të ndryshme ka një avancim gati 2 metër për vit. Në Plazhin e Semanit, në harkun kohor të 30 vjetëve, deti ka përfshirë në domen të tij 17 ha tokë dhe ecuria vjetore në qendrën e dikurshme të plazhit është 2.7 metër në vit.
Kjo kërkon studime.
Rëra vijon të lëvizë papushim ndënë veprimin e valëve të detit dhe erës nga stina në stinë. Bregdeti hahet dhe rripa-rripa ngushtohet në mënyrë dramatike.
Mbjellja e pishave të buta të mbërthyer me dheun aluvional me trungjet e kurorat e gjelbra duket se ka qenë një vepër e mirë. Po ama, jo një shpëtimtare e përjetshme.
Tani tek Mali i Robit nuk ke dëshirë të shkosh, sepse edhe ndotja bën punën e saj, po edhe deti ka lënë shumë pak rërë pa gllabëruar. Aty janë ndërtuar prita me gurë të cilat janë perpendikular me drejtimin e vijës bregore detare. Ka qenë një mendim i mirë për të parandaluar në njëfarë mënyrë lëvizjen e rërës dhe procesin fizik të erozionit. Mirëpo nga vëzhgimet e bëra këto dy vjet rezulton se intensiteti i lëvizjes së rërës, gërryerjes dhe recesionit ka vijuar edhe më shumë. Kjo tregon se këta valëpritës nuk kanë ndihmuar lëvizjen e rërës.
Energjia detare duhet llogaritur prej energjisë njerëzore dhe kjo kërkon studime. Po tek ne nuk bëhen të tilla. Institucionet janë, por ato nuk trajtojnë këto tema madhore të natyrës dhe mjedisit shqiptar në ndryshimet kohore. Kështu që një veprim njerëzor i pamenduar dhe në kundërshtim me ligje të natyrës e vret mjedisin dhe rrezikon investimet dhe jetën njerëzore.
Konsideratat janë mjedisore dhe ekonomike gjithashtu, dhe pse jo, edhe politike.
Qasjet e sotme apelojnë për një strategji që të parandalojë intensitetin e erozionit detar. Si mund të rrihet spektatorë ndaj prerjes dhe djegies së pyjeve, që ka qenë e pashembullt, ndaj lumenjve të shfrytëzuar si në një masakër të vërtetë, ndaj erozionit në përgjithësi, por edhe ndaj gërryerjes detare në veçanti.
Ndërkaq qeverive shqiptare nuk ka seç u bën dot asnjë gërryerje, edhe pse janë në kundërshtim me interesat afatgjata të popullit të tyre.