E-maili i Ambasadës, publiku pret reagimin urgjent të Ministrisë së Brendshme
Redaksionale
Ministria e Brendshme ende nuk ka reaguar lidhur me e-mailin e Ambasadës Amerikane në Tiranë publikuar dje në Shekulli që përcakton 4 vende në kryeqytetin shqiptar si të rrezikshme për jetën.
Ndërkohë në Shekulli na kanë ardhur dje një numër i jashtëzakonshëm reagimesh që kërkojnë informacion plus lidhur me këtë e-mail.
Duam të sqarojmë publikun se ky paralajmërim për shtetasit amerikanë që jetojnë në Shqipëri, është lëshuar nga Ambasada që në mesin e tetorit. Shekulli ka pritur reagimin e Ministrisë së Brendshme për të marrë masa, ose sinjalizime për publikun, por kjo nuk ka ndodhur. Në këto kushte, vendosëm publikimin e pjesshëm të këtij materiali, me qëllimin për të bërë presion publik mbi organet e rendit që të bëjnë detyrën e tyre në mbrojtje të qytetarëve.
Ne e kemi të pamundur të publikojmë e-mailin e plotë me zonat konkrete të rrezikut, sepse ligji na penalizon në një situatë të tillë. Por nuk penalizon aspak organet e rendit, të cilat duhet ose të përgënjeshtrojnë informacionet që kanë ngritur nivelin e alarmit të Ambasadës Amerikane, ose të marrin në mbrojtje qytetarët me bllokime të këtyre zonave, me sinjalizime publike rreth rrezikut apo çdo veprim tjetër që profesionistët e këtyre situatave mendojnë se është i dobishëm në mbrojtje të jetës së qytetarëve të Tiranës.
Shkaqet e këtij paralajmërimi të Ambasadës Amerikane për shtetasit e vet në Shqipëri, qeveria shqiptare besojmë i njeh mirë. Nëse nuk i njeh, le të pyesë Ambasadën. Mosnjohja do ishte edhe më skandaloze se mungesa e reagimit. Por ne besojmë se ato shkaqe njihen.
Një gazetë nuk mund të bëjë dot më shumë se kaq në mbrojtje të publikut, por një qeveri mund të bëjë shumë më tepër. Të bëjë detyrën. Nesër mund të jetë vonë. Nesër mund të ketë viktima. Dhe pas këtij publikimi, askush nga qeveria, nuk mund të thotë që rreziku nuk ishte paralajmëruar.
Kemi thënë: qytetarët, të parët. Slogan i bukur që ka këtë herë një rrethanë flagrance për tu testuar. Mbroni qytetarët zoti ministër i Brendshëm. Mbroni qytetarët zoti kryetar i ri i bashkisë së kryeqytetit. Izoloni zonat e rrezikut. Mënjanoni urgjentisht rrethanat e rrezikut për mijëra njerëz, burra, gra, fëmijë që jetojnë të përditshmen e tyre në këto zona. Reagoni me veprime konkrete mbrojtëse të jetës së qytetarëve ose përgënjeshtroni informacionet e ambasadës amerikane dhe qetësoni publikun. Ose dilni e thoni që rreziku është mënjanuar. Bëni detyrën për të cilën paguheni zotërinj.