E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podrimja në 15 gjuhë

Seminaristët që po marrin pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbajtën një orë letrare kushtuar poetit të ndjerë Ali Podrimja. Ata lexuan poezitë e Podrimjës të përkthyera nga vet ata në gjuhët prej nga vijnë.

Ata që kanë dashur të dinë se si mund të tingëllojë një poezi e poetit të ndjerë Ali Podrimja në japonisht, arabisht apo holandisht arritën ta shohin në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë, ku u mbajt një orë letrare në nderim të poetit të njohur. Kjo orë letrare u organizua nga drejtoria e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ndërsa seminaristët që po marrin pjesë lexuan poezi të Podrimjës që i kanë përkthyer në gjuhën e tyre.

“Jemi mbledhur këtu sot për një mbledhje përkujtimore të seminaristëve për nder të poetit emblematik shqiptar, Ali Podrimja. Nuk duam ta fyejmë askënd dhe të tregojmë se kush është Ali Podrimja. Secili në këtë sallë, secili që sado pak është marrë me albanologji – dhe ne këtu jemi për albanologji – e di se cili është Ali Podrimja”, u shpreh Bardh Rugova, drejtor i seminarit. Ai shtoi se në vend se të tregojnë për të do të lënë që poezia e tij të flasë për të. “Pjesëmarrësit e këtij seminari, pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, kanë shprehur gatishmërinë dhe dëshirën që të përkthejnë nga një poezi të Ali Podrimjës secili në gjuhën e vet. Janë 15 gjuhë të ndryshme në të cilat janë përkthyer poezitë e Podrimjës”, tregoi ai.

Më pas poezitë e Podrimjës i lexuan seminaristët që i kanë përkthyer ato në bullgarisht, anglisht, italisht, turqisht, arabisht, serbisht, maqedonisht, gjermanisht, rusisht, holandisht, japonisht etj. Ndërkaq, studiuesi dhe poeti Agim Vinca e lexoi një poezi të tij kushtuar Podrimjës, të cilën tha se e ka shkruar në vitin 1999.

“Fushatën e bombardimeve ne e pritëm bashkë në Ulpianë, ku banonim, por pastaj u detyruam si shumë të tjerë të largoheshim për në Maqedoni. Unë në vendlindje në Strugë kurse Aliu në Tetovë. Më vonë ai më familje iku në Gjermani sepse ishte fitues i një çmimi të rëndësishëm letrar atje dhe u interesuan për të që të qëndronte në botën gjermanofone”, u shpreh Vinca. Ai tregoi se miqtë e Podrimjës e thërrisnin atë mixhë, disa të tjerë e thërrisnin babë. “Kurse unë e thirrsha baba Ali apo Ali Baba, sepse i thosha je baba i poetëve”, shtoi ai.

Në fund albanologu rus Aleksandër Novik tregoi se në janar të këtij viti në Shën Peterburg është hapur konsullata e nderit e Republikës së Shqipërisë dhe se ai është emëruar konsull nderi në Shën Peterburg dhe në rajonet veriperëndimore të Rusisë. Ai tregoi se ka në plan të botojë një antologji të letërsisë shqipe të shekullit njëzet dhe në këtë antologji do të botohen disa poezi të Ali Podrimjës në rusisht.

“Ne kemi folur shumë për imazhin e shqiptarëve në Europë dhe në mbarë botën. Por kontributi i Ali Podrimjës në fushën e letërsisë është shumë i rëndësishëm në ndërtimin e imazhit të shqiptarëve nëpër botë”, tha Novik.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›