Poeti me fytyrë Krishti
Natyrisht, kushdo që ka patur ambicjen për të fituar emrin poet asokohe të përdhunshme, ka paguar haraçin e konformizmit. Keq apo mirë, me dashje apo pa dashje duhej ti këndontë një këngë lavdëruese tiranisë çdo autor, por këtu nuk është fjala për haraçin që paguhej me imponim, por për përjargjet e atyre që nën shëmbëllesen e diktatorit të madh, si të ishin marioneta teatri kukllash, bënin diktatorin e vogël në koperativen e shkrimtarëve bolshevikë
Nga Kolec Traboini
Ndoc Gjetja është një prej poetëve më pranë
shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar
një studiues, poeti që di me çdo varg ti bjerë bukur tastierës së
humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek ta tradhtonte.
Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdon të
shkruaj edhe sot e kësaj dite me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur
ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të
cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, mardhëniet njerëzore, madje edhe me
sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkëlqimit
të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të
cilët, vërtetë dinin të thurnin vargje, i kishin dërguar edhe jashtë për studime
zhdanoviane, për të qënë kështu poetë oborri, siç i klasifikonte Frederik
Rreshpja, por këtyre të kreut u mungonte sinqeriteti poetik. Shkruanin ca poema
për ca shqiponja që flututonin lart, kur shqiptari zvarritej si krimb baltërave
herë mbi dhè e herë nën dhè. Shkruanin për ca ugare e baltra krenare, për ca
qytete industriale, për çelik, hekur e beton, e këto i shpalosnin në faqe
gazetash me një krenari të shpifur, ndërkohë poetët që
revoltoheshin si ndaj sistemit të dhunës por dhe imponimit krijues,
përgjunjëshin, dhunoheshin, madje edhe pushkatoheshin si Trifon Xhaxhika,
Vilson Blloshmi, Genci Leka dhe Havzi Nelaj. Ata, të mëdhejt e dikurshëm, edhe
sot e ruajnë xhelozisht prijtarinë fodulle në poezinë shqipe me patericat e një
të huaji që e njeh gjysëm globi larg poezinë shqipe, kritik që ka bërë
riklasifikimin e poetëve elitare konformist krejt ngjashëm me çfarë e shiste si
lakra tregu i realsocit. Po fundja le ta falenderojmë edhe për këtë, kritikun e
huaj, se po na i mban me berihaj rosinantët e poezisë së monizmit,
kasnecët letërsisë së diktaturës që sot kanë dalë në publik me një luk të ri. Por
më kot. Se vertetë njerëzit e shihnin Konstandinin që ja kish shaluar rrasës së
varrit si kalë, por edhe erën e baltrave të varrit ja ndjenin.Dhe thonin, ky
kalorës egërshan nuk është i gjallë, është i vdekur, shkon i vdekuri me të
gjallë, shkon i gjalli me të vdekur.
Natyrisht, kushdo që ka patur ambicjen për të fituar emrin poet asokohe të përdhunshme,
ka paguar haraçin e konformizmit. Keq apo mirë, me dashje apo pa dashje duhej
ti këndontë një këngë lavdëruese tiranisë çdo autor, por këtu nuk është fjala
për haraçin që paguhej me imponim, por për përjargjet e atyre që nën
shëmbëllesen e diktatorit të madh, si të ishin marioneta teatri kukllash, bënin
diktatorin e vogël në koperativen e shkrimtarëve bolshevikë.
Edhe Ndoc Gjetja e pagoi haraçin e vet historik. Por ndërkohë ai në tërësinë e
tij mbeti poet i vertetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale
të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti,
tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit.
Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin monist,
shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e
propogandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit brenda dhe, falë
parave pa kursim që jepte regjimi, tollombacja e kuqe fryhej edhe jashte
shtetit, packa se deri me sot, askush nuk ka marrë përsipër të bëjë një
hulumtin se sa para janë vënë nga rregjimi monist që letërsia realsocit të
çante bllokaden imperialisto-revizioniste.
Megjithë fryrjet që u bëheshin agjitatorëve të letërsisë së partishme, të cilët
zinin vend në tribuna, kongrese e kuvende krahas krerëve të diktaturës, ata nuk
i shpëtonin dot sfidave nga brënda. Një sfidë ishte Kasëm Trebeshina. Nuk e
lanë një çast të lirë por e kalben burgjeve e veprat ja dogjen me vendim të
gjykatave të ashtuquajtur popullore.
Se të gjitha, edhe mbjellja e tokave me kokalla, në emër të popullit
bëhej. U shfaq si meteor Bilal Xhaferri. Plasën ta hiqnin nga udha e letërsisë,
ku dikujt i bënte hije mesadukej, sa një Fadil Paçram që bënte edhe partinë
edhe letërsinë( por e pësoi nga të vetet), e anatemoi Bilal Xhaferrin
publikisht, sa e degdisi të arratisej. Por edhe atje larg në Çikago e
gjetën në vitin 1987 - vdekja enigmë që pikëlloi artdashësit por gëzoi jerarkët
e letersisë moniste, që vollën vrer ndaj tij.
Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit
e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së
diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo
Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e vogël,
rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i
parrezikshëm. Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi,
për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar
kerkesën ndaj artit të vertetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me
titull Ekran rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit
dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në Berdicë të Shkodrës mbijetoi.
Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjënd në një kurs në Athinë dhe me të
thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vënd që ta
shpëtonte po e shkatrronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur.
Shoqëria shqiptare në një marramendje prej të dehuri, nuk donte të dinte në
kishte shkrimtarë. Shteti i shkërrmoqur nuk merrej as me poetët e as me lypsit
e, çfarë është më e keqja, i konsideronte të një rangu të dy palët, sepse
rëndonin buxhetin qeveritar me asistenca sociale.
Një punonjës administrate mund të bridhte gjithë botën, politikanët i bënin pushimet
në Dubai, ndërsa poetët thuajse vdisnin për bukë. Të shisje banane e paketa
cigaresh nëpër rrugë ishte e zakonëshme për krijuesit. Kohë tranzicioni, kohë e
pamëshirshme e mizore. Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,...
e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore,
siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u rrëfehej
lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrylla talentin/ në një nga zyrat e shtetit
monist/me kepucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si
Krisht.
Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti,
veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre!/Si të
ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastrin
e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde.
Tek bisedonim në një kafene verore, pranë sheshit Omonia në Athinë në një ditë
të bukur qershori, i shpreha dëshirën ti bëja një cikël fotografish për fondin
tim fotografik,por edhe për ti botuar në gazetën Egnatia bashkë me poezitë e
tij. Kështu kam vepruar me miqtë e mi gjatë viteve të mërgimit në Greqi:
Aristidh Kolia, Ndoc Gjetja, Robert Alia- Dragot, Mimoza e shoqja, Gazmend
Kapllani, Zhaneta Ogranaj, Pilo Zyba, Genc Çobani, Englantina Kume, Marita
Vuksani, Rajmonda Diamanti. I fotografoja, i botoja në gazetë si dhe në
albumin poetik të emigrantëve por edhe i ruaja në arkivin tim. Vjen një kohë që
edhe fotografitë si verë e vjetër çmohen, marrin vlera të reja, sepse janë
imazhe të një kohe që kurrë nuk kthehet më. Po a do të me nxjerresh mirë, me
pyeti Ndoci, tek pinte cigare i menduar. Atëherë ju ktheva e i thashë, se në
mos mbetët i kënaqur Poeti, e në mos e nxjerrsha në portret si Krisht, do ta
thyeja aparatin fot