Poeti që pushkatuan se lexonte Shatobrianin, Bodlerin dhe Lamartinin

Vilson blloshmi me shoket e klases ne shkollen e mesme pedagogjike elbasan
Të bindur se kishin larë hesapet me dy armiq të rrezikshëm, policët që pushkatuan mesnatën e 17 korrikut 1977 Vilson Blloshmin e Genc Lekën, u kthyen për të pushuar në Degën e Brendshme të Librazhdit. Së paku, deri në agim duhej të qëndronin aty për të fshehur sa të mundnin gjurmët mbi autorësinë e skenës makabre.Ajo që kishin përjetuar në majën e Përroit të Firarit, kur ishin ndarë për herë të fundit me dy poetët e ekzekutuar, të nesërmen do të lëndonte si rrallëherë krejt qytetin buzë Shkumbinit. Sado makabër për të tjerët, lajmi për pushkatimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës për ta ishte diçka e zakonshme që, në fund të fundit, lidhej me zbatimin e detyrës. Për më tepër që në këtë rast bëhej fjalë për dy djem kulakësh, që kishin guxuar të shanin partinë, pushtetin popullor, të sabotonin kooperativën, të përqafonin idetë reaksionare, të përbuznin socializmin etj. Shkurt, pushkatarët e mesnatës, që e kishin ndjekur hap pas hapi historinë e tyre, mendonin se poetët morën çka meritonin! Ata më shumë se kushdo në këtë qytet të vogël kishin pasur rastin ta njihnin nga afër profilin e tyre armiqësor, madje kishin mësuar përmendësh gati tërë akuzat në adresë të tyre. E vetmja paqartësi apo më saktë i vetmi moment ku logjika e tyre policore nuk ishte në gjendje të deshifronte, ishin pesë-gjashtë rreshta të aktakuzës ku përmendeshin disa fjalë e emra të huaj si, Shatobrian, Lamartin, Didero etj. Megjithatë, fakti që nuk mund ta çonin deri në fund domethënien e këtyre shqiptimeve, nuk kishte ndonjë rëndësi, pasi mënyra si ishte bërë perifrazimi i tyre në dokument, të linte të kuptoje diçka rreth dërrasës së kalbur ku kishin shkelur dy viktimat e majës së Përroit të Firarit. E si mund ta mendonin policët e gjorë që pas atyre emrave qëndronin një pjesë e korifenjve të letërsisë bashkëkohore…
Raport i datës 7.XI.1972
Studenti njofton se në bisedën që ka zhvilluar me Vilson Blloshmin para 10 ditësh, ai i ka thënë se, kur ishte në shkollë, në provimin e maturës një profesor e pyeti një nxënës se çështë diktatura e proletariatit. Ai u përgjigj se diktatura e proletariatit nuk është gjë tjetër veçse regjimi fashist. Profesori i tha se kjo është çështje politike dhe po të ketë ndonjë nga të Sigurimit, të fuste në burg. Ai u përgjigj se kjo është një gjë e drejtë. Kur ai i thotë se si ka mundësi kjo, Vilsoni u përgjigj se njerëzit janë të vendosur për atë që kanë në tru. Më vonë, shtoi se kjo ka ndodhur me të vërtet. (Këto mendime janë të tijat, po ai del gjithmonë me një të tretë.)
Detyrë e operativit V. Gjorga
Bisedo me Vilsonin e thuaji se atij nuk i mbushet mendja që në provimin e maturës në Marksizëm të jetë përgjigjur një nxënës në mënyrë të tillë. Dhe armik i betuar të jetë, nuk ka mundësi që të thotë atë. Dëgjoje se çfarë do të thotë.
Raport i datës 07.05.1973
Studenti ka biseduar me Vilson Blloshmin, i cili thotë: Po të flas diçka, por është me përgjegjësi, mos na dalë fjala se unë kam frikë nga këto llafe, mbasi njerëzit i interpretojnë ndryshe. Vendi ynë nuk ka përkrahje nga fqinjët e huaj, ne jemi i vetmi vend që smorëm pjesë në Konferencën Europiane. Ji me të drejtën sa të duash ti, shtetet e vogla i kanë frikë superfuqitë. Shoku Mehmet Shehu ka shkuar me pushime në Francë. Atje ka mundësi të zhvillojë bisedime me ta se do të ketë përkrahje në politikën e jashtme.
Detyrë e operativit V. Gjorga
Meqenëse ju e njihni rojën e shkollës pedagogjike, kur të shkoni në Elbasan bisedoje me të, thuaji se kush është dhe si i ka punët me Vilsonin. Thuaji se një ditë ti më the se këta kanë frikë nga superfuqitë, por përse kanë frikë këta, po të kishin frikë këta, nuk kundërshtojnë e kritikojnë shtetet imperialiste dhe revizioniste si Amerika, BS e shtete të tjera. Në Francë shoku Mehmet nuk ka shkuar për bisedime, por për pushime. Dëgjo se çdo të thotë.
Raport i datës 20.05.1973
Studenti njofton se më dt. 20.05.1973 zhvilloi bisedë me Vilson Blloshmin rreth kritikës që i bëhet romanit Dimri i vetmisë së madhe të Ismail Kadaresë. Ndër të tjera, Vilsoni tha: Ismaili është i madh si shkrimtar dhe këto kritika që po i bëhen e kanë zili. Edhe këtë radhë do ta kalojë me një kritikë besoj. Ismaili njihet mirë edhe nga të mëdhenjtë, prandaj i shkruan kaq serbes, ai rrëshqet shumë si vijë. Dritëro Agolli një herë ka rrëshqitur, por nuk është kapur gabimi i tij. Ja si shkruan Dritëroi në një libër të tij. Një piktor bëri portretin e një djali prej dru arre. Ky skulptori punonte me daltë në fytyrë. Një ditë shkoi në dhomën e punës së tij një piktor që e kishte shok. Por, papritur, dalta takoi në mesin e fytyrës një hekur. E nxjerrin dhe e shohin. Ishte një plumb. Plumbi që i kishte rënë arrës që në kohën e luftës. Këto ishin fjalët e Vilsonit të tregimit dhe si e mbaron, thotë: Po e kupton se çdeshi plumbi në ballin e këtij djali të partizanit. Domethënë që koka e këtij djali të partizanit që luftoi, nuk ka shpëtuar nga plumbi. Kjo duhet të ishte kritikuar.
Detyrë e operativit V. Gjorgo
Do ta takoni përsëri Vilsonin dhe i thuaj se Letërsia është thikë e hollë, unë mendoj se ju keni të drejtë që thoni se Dritëroi ka dash të tregojë se djali i partizanit që luftoi, nuk ka shpëtuar, kot që luftoi babai i tij. Ndërsa për atë që thonë se Ismaili ka gabuar, unë nuk e kuptoj mirë pse ka gabuar.
Raport i datës 25.VIII.197
Shebeniku njofton se më dt.2.8.1974 deri në datën 11.08.1974 ka qenë në zbor në repartin ushtarak Brek-plep Atje i ka rënë në sy se oficerët dhe ushtarët e pikës i përkrahin shumë familjet e të deklasuarve, si Vilson Blloshmi, Genc Lekën, Bedri Blloshmin, Hazis Dashi .Këtyre oficerët u kanë dhënë më shumë ditë zbori nga se kanë qëndruar në fakt. Ditën që do të iknin ushtarë, Zef Ndou ndaloi Sali Dule Omerin për ti dhënë disa libra që ia kishte dhënë Vilson Blloshmi. Librat ishin mbledhur me një letër. Titullin ai nuk ua ka mësuar, po duhet ti dijë Saliu. Shebenikut i dhashë detyrë të bisedojë me Saliun dhe ti thotë se çfarë librash kishe atë ditë, si titulloheshin ata dhe të kujt ishin. Kujt ia dhatë ju, se desha dhe unë ti lexoja.
Sqarim/ Vilson Blloshmi është me arsim të mesëm pedagogjik, është pushuar si arsimtar për të kaluarën e keqe. Në ngarkim të tij kemi të tjera.
Raport datës 23.10.1974
Bleta njofton se më datën 23.10.1974 shkoi për të mësuar frëngjisht në dhomën e Vilson Blloshmit. Atje gjeti një person tjetër me të cilën Vilsoni e prezantoi, duke i thënë se ky është një i afërmi im dhe shoku më i ngushtë i tij. Quhej Genc Leka. Gjatë kohës që ndenjëm në dhomë, ai diskutoi me Vilsonin dhe Gencin për letërsinë dhe artin. Gjatë bisedës vuri re se Genc Leka ishte njeri me kulturë dhe e njihte mirë letërsinë, gjithashtu vuri re se Vilsoni me Gencin kishin shumë libra, nga të cilët dhe të autorëve të papërkthyer në shqip si Dideroi, Shatobriani, Lamartini etj. Gjatë bisedës, Vilsoni i tha atij se mua më pëlqejnë shumë idealistët, për mënyrën se si ata i kundërvihen materialistëve. Para se të ndaheshin, Vilsoni i tha atij se do të shkojmë një ditë së bashku në Tiranë dhe unë atje do të të prezantoj me disa shokë që i kam atje, të cilët kanë njohuri të thella për letërsinë dhe artin në përgjithësi. Gjithashtu, Vilsoni i tha se do të prezantoj me një grua, e cila jep mësim privat në gjuhën frënge në Tiranë.
vijon…
Sigurimi: Biografia e Vilson Blloshmit