E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polovina: Lëvizjet e Mehmet Shehut në udhëtimin e vitit 60

Ylli Polovina

Mënyra se si u sigurua në Ambasadën amerikane në Argjentinë dokumenti sekret mbi Mehmet Shehun dhe mbërritja e tij në Tiranë, pikërisht në prag të Kongresit të PPSH-së, i quajtur ndryshe edhe si Kongres i Vazhdimësisë (një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës), e bëjnë të dyshojë fort autorin e librit Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Në këtë pjesë libri që iu servirim sot, Ylli Polovina i mëshon mendimit të tij se ky dokument nuk ishte rastësor. Gjithashtu, ai na ofron një copëz nga udhëtimi i Mehmet Shehut pas Konferencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bordin e vaporit Liberte. I gjithë ky udhëtim u shoqërua me një sërë radiogramesh, ku raportohej jo vetëm çdo lëvizje e kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Mehmet Shehu, por edhe të delegacioneve të tjera, si ruse e jugosllave dhe më konkretisht të Hrushovit dhe Titos. Radiogramet ofrojnë raportime të shkurtra, të cilat veç e veç nuk kanë ndonjë vlerë të madhe, por që tregon se sa i detajuar ishte informacioni që i shkonte Enver Hoxhës mbi çdo lëvizje të Mehmet Shehut. Një takim i mundshëm me Titon apo me Randolf Çërçillin, të birin e kryeministrit britanik, nuk do të shpëtonte pa u vënë re. Autori ka zhvilluar edhe një takim me përkthyesin e Mehmet Shehut, dëshmitarit të vetëm të ngjarjes, Agim Popën, i cili e mohon se Mehmet Shehu mund të ketë takuar ndonjë nga të mësipërmit gjatë rrugëtimit të tij drejt Nju Jorkut, në bordin e transoqeanikut Queen Elisabeeth.

Pjesë nga libri
E marta e 11 tetorit që prej brigjeve të Atlantikut drejt Tiranës lëvizi nëpër eter tre mesazhe. I pari përmbante 46 fjalë: Në njëmbëdhjetë tetor u nis nga Nju Jorku për në atdhe me vaporin francez Liberté Kryeministri. Në portin e Nju Jorkut shoku Mehmet Shehu u përcoll nga ministri Behar Shtylla, nga përfaqësuesi i përhershëm Reiz Malile, si edhe nga anëtarë të tjerë të delegacionit në Sesionin e 16-të. Gjithashtu, shoku Mehmet u përcoll nga përfaqësuesit e vendeve socialiste në OKB, si dhe nga shefi i protokollit të saj.
Radiogrami i dytë kur mbërriti në kryeqytetin shqiptar saktësonte Shoku Mehmet u nis sot me vaporin Liberté. Kishin dalë vetëm përfaqësuesit e përhershëm bullgarë, hungarezë dhe  ndihmëspërfaqësuesi polak. Nga të tjerët asnjë, megjithëse ishin lajmëruar… Udhëtarët e Balltikës po ikin veç e veç, mbrëmë Novotni, sonte Gomulka, Dezhi e Zhivkua bashkë, pasnesër Hrushovi tok me Kadarin etj. Asnjë me Balltikën. Kjo ka mbetur buzë detit. Një marinar u arratis dje.
I treti radiogram, ai që në zyrën e shifrës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë mori numrin 434, si një udhëtar i hutuar dhe i ngatërruar nëpër rrugët e qiejve, përpëliste fjalët se Intervista e Kryeministrit në United States News nuk u botua, prandaj edhe teksti i dërguar të mos publikohet.
Në mbrëmjen e vonë të 11 tetorit në Misionin Shqiptar erdhi ambasadori i Çekosllovakisë, Kurka. Me Reiz Malilen ndenji një gjysmë ore dhe fjala e parë që shqiptoi ishte kërkimi i ndjesës. Tha se nuk mundi të vinte dot në përcjellje dhe se bashkë me të madje do të vinte edhe vetë ministri i Jashtëm David, por gabimisht kishin ngatërruar datën e nisjes.
Piu një kafe, mërmëriti disa fjalë të përgjithshme dhe pastaj iku. Malile e përcolli derisa ambasadori Kurka hipi në makinën e tij.
Ndërsa u ringjit në zyrë, e rrëzoi trupin menjëherë në kolltuk dhe, siç bënte kur ndihej shumë i vetmuar, hoqi syzet e mbuloi sytë me pëllëmbët e duarve. Që atë ditë, apartamentet e zëna nga kryeministri dhe njerëzit e tjerë të delegacionit po riktheheshin në gjendjen e mëparshme. Mbi tri javë familjet e punonjësve të Misionit kishin banuar në hapësira shumë të ngushta tek njëri-tjetri, në pjesën e mbetur të katit.
Pesë minuta më pas, Reiz Malile u ngrit dhe formuloi shkurt një radiogram të katërt për Tiranën. Njoftoi se kishte pothuaj dhjetë ditë që emisioni për shqiptarët në Amerikën e Veriut nuk dëgjohej.
Pastaj u rilëshua mbi kolltuk. E kishte kapur një trishtim i çuditshëm.
* * *
Vapori i pasagjerëve Liberté qe një anije franceze 270 metra e gjatë. Ishte një lundruese mjaft e sigurt dhe shumë e rehatshme, por tashmë e mundur prej konkurrencës së anijeve të reja. Oqeanin Atlantik prej brigjeve të Francës deri në Nju Jork, si edhe itinerarin e ndërsjellë e bënte për gjashtë ditë. Tragetet e reja e kryenin për vetëm pesë njëzet e katër orësh. Ishte kjo arsyeja që udhëtarët nuk e pëlqenin më dhe, e dalë me humbje në atë mes shtator 1960, po kryente udhëtimin e saj të fundit. Me të mbërritur në bregun francez, do të nxirrej në radhë e do të çmontohej pjesë-pjesë. Do të shkonte për hekurishte.
Atë 12 tetor Mehmet Shehu shumicën e kohës qëndroi i mbyllur në kabinën e tij. Ndërkohë, nuk u pa mes shëtitësve në kuvertë as përkthyesi. Në kabinën e vet ai vazhdonte të shkruante fjalimin e kryeministrit, përherë me shpresë ta përfundonte para se trageti të hidhte ankorat në portin e Havresë.
Po atë ditë, Josip Broz Tito gjendej në molin e Napolit. I porsazbritur nga shkallët e vaporit Leonardo Da Vinci, shkëmbeu disa batuta me gazetarët italianë. Këta ishin një turmë e tërë. Presidenti jugosllav u tregoi se për herë të parë në atë qytet kishte qenë në vitin 1944.
Ndërkohë, në sallën e Asamblesë, atë 12 tetor pat ndodhur një ngjarje, e cila do të mbetej e përfolur në të gjithë historinë e Kombeve të Bashkuara. Për të Enver Hoxhën do ta informonte një ditë më pas që nga Nju Jorku ministri i Jashtëm, Behar Shtylla: Këto kohët e fundit Hrushovi arriti kulmin e qëndrimit kontradiktor dhe të ulët. Brenda një seance fjalë të buta, përgëzime amerikanëve dhe pastaj kërcënime e shprehje brutale. Mbrëmë nxori këpucën dhe me të godiste tryezën. Sot gazetat e botojnë fotografinë me këpucë mbi tryezë… Sonte ikën. Ne nuk do ta përcjellim. Shoku Mehmet po udhëton shumë mirë, është i kënaqur.
Në mbrëmjen e 17 tetorit, legata shqiptare në Francë njoftoi Ministrinë e Jashtme: Në vijim të udhëtimit për në atdhe sot arriti nga Nju Jorku në Havre dhe prej Havre me tren në Paris kryeministri Mehmet Shehu. Ai u prit në port nga i ngarkuari me punë M. S. Në stacionin e trenit në Paris kishin dalë titullarë të përfaqësive diplomatike të vendeve socialiste dhe Kryesia e Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, me në krye Zhilbert Byrlo, nënpresident i shoqatës dhe Pol Kyjo, sekretar i përgjithshëm i saj.
Radiogrami, i cili në Tiranë prej shifrantëve u kodua me numrin  549 dhe që i dërguar prej Romës shënonte datën 22 tetor, thoshte Sonte në orën 00.18 u nis delegacioni shumë në rregull. Në stacion erdhën për ta përcjellë nga vendet që njoftuam, këta persona: këshilltari i Ambasadës sovjetike, këshilltari polak, sekretari i parë rumun, ministri çek dhe hungarez. Ndërsa bullgarët, indiani dhe sudanezi nuk erdhën. Nga Ministria e Jashtme italiane qe këshilltari Rosi. Mbërrijnë në Bari në orën 7.50….
Këtu, që një natë më parë ishte ulur avioni qeveritar shqiptar.
Ky, me Mehmet Shehun brenda, e kaloi Adriatikun brenda po asaj dite.
Ndërkohë që sapo ulej në Aeroportin e Rinasit, nëpër qiell, i ardhur me ngut nga drejtimi i Pragës, mbërriti prej Nju Jorkut radiogrami 455: Radio Tirana filloi të ridëgjohet mirë.
Me përkthyesin e Mehmet Shehut në atë shtator shumë të largët të vitit 1960, tashmë dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë, u takova mesditën e 17 nëntorit 2010 në lagjen e Bllokut. Me gjithë moshën e madhe, ngjante me një njeri të gëzuar dhe plot shëndet të sigurt.
U ulëm në Bar Delice
Në pothuaj një orë, sa për një kafe ndenjëm, u kuptua që ai kishte arritur të ruante në kujtesë fare pak. Për shkak të një distance prej një gjysmë shekulli, gjithçka i qe zbehur dhe po të

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›