Pogradec- Goditi anëtarin e Qendrës së Votimit, arrestohet në kërkesë të Prokurorisë Korçë një shtetas

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore arrestoi shtetasin L.T. 63-vjeç, për veprat penale ‘Kanosja apo dhunimi për shkak të detyrës’ dhe ‘Goditje për shkak të detyrës’ parashikuar nga Kodi Penal.
“Arrestimi u krye pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10:30, ky shtetas ka hyrë në Qendrën e Votimit Nr.3901 në Pogradec dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G. 52-vjeç, me detyrë anëtar i komisionit i forcës politike Partia Socialiste në këtë qendër votimi. Ky shtetas e goditi për shkak se kryetarja e komisionit (e bija e shtetasit L.T.) ka pasur një debat me anëtarin e komisionit në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar, etj.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/