Pogradeci hap krahun, Ada i largohet fundit
Skuadra liqenore ka humbur 1 me 2 ndaj velipojakëve në shtëpi, duke i thënë lamtumirë shpresës për kalimin në Superligë
Pogradeci ka humbur dje në fushën e saj ndaj Adës së Velipojës me rezultatin 1 me 2, ndeshje e prapambetur e kategorisë së parë. Me këtë humbje, Pogradeci i thotë lamtumirë ëndrrës për kalimin në superligë edhe pse matematika e mban ende në lojë. Pas kësaj humbje, Pogradeci ndodhet nëntë pikë pas Partizanit, ku kanë mbetur edhe 12 pikë në lojë. Ada nga ana tjetër me trepikëshin e fituar është shkëputur nga fundi i zonës së ftohtë të renditjes, duke u ngjitur në kuotën e 33 pikëve.
Edhe pse është larguar disa vende nga zona e ftohtë, Ada mbetet sërish e rrezikuar, pasi nga vendi i gjashtë e deri te i 15-ti, ekipet ndahen me vetëm tri pikë. Sfidat e fundit do të vendosin shumë mbi fatet e skuadrave për fundin e tabelës gjatë javëve të fundit. Kur çështja e kalimit në Superligë është mbyllur tashmë, fundi i renditjes mban enigma të mëdha për të zgjidhur në ndeshjet e mbetura.
Sfidat që do të përcaktojnë shumë do të jenë pikërisht përballjet direkte midis skuadrave të rrezikuara. Duhet theksuar se Ada ka patur një ecuri të jashtëzakonshme gjatë fazës së dytë, ku në shtatë ndeshjet e fundit ka arritur të marrë pesë fitore dhe dy barazime.