Pogradeci përtej liqenit, një destinacion gjithëvjetor nga turizmi malor dhe atraksionet kulturore

Pogradeci nuk është më vetëm një destinacion i njohur për liqenin dhe plazhet e tij, por vitet e fundit ka fituar vëmendje të shtuar edhe si një pikë referimi për turizmin malor dhe kulturor.
Sipas Ledjan Zeqollarit, drejtor i Turizmit në Bashkinë e Pogradecit, janë ndërmarrë hapa konkretë për promovimin e turizmit malor, përmes markimit të shtigjeve, organizimit të guidave vendase dhe kombëtare, si dhe certifikimit të guidave lokale, të cilat orientojnë vizitorët gjatë gjithë vitit.
“Pogradeci është kthyer në një destinacion për sa i përket turizmit malor. Këtu është Mali i Thatë, që është mjaft i kërkuar nga turistët që vijnë për alpinizëm apo kamping. Po ashtu, edhe Guri i Kamjes…” thotë drejtori Zeqollari.
Përveç natyrës malore, gjithnjë e më shumë turistë po vizitojnë edhe atraksionet historiko-kulturore të zonës.
“Në top-listën e më të vizituarave qëndron bazilika paleokristiane e Linit, e cila tashmë është edhe pjesë e mbrojtjes nga Unesco, me një numër prej rreth 5 mijë vizitorësh në vit,” shton z. Zeqollari.
Turizmi në Pogradec po diversifikohet, duke i dhënë qytetit një identitet të ri që shkon përtej pushimeve tradicionale verore. Me zhvillimin e turizmit malor dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore, Pogradeci po kthehet në një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/