Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Edi Rama bën presion në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në një konferencë për mediet se kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë të egër presioni në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë dhe drejtuesit e tyre në raport me zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Berishës, Partia Demokratike është në komunikim të vazhdueshëm me trupat ndërkombëtarë dhe se do u dërgojë atyre të gjitha provat.
“Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë të egër presioni në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë në Shqipëri dhe drejtuesit e tyre. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me këto trupa dhe ne u dërgojmë atyre të gjitha.
Edi Rama u ka shtruar një pyetje atyre: ku i keni faktet për ato që keni shkruar. Faktet që ne kemi për 5 mijë qendra votimi janë një tërkuzë e gjatë mijëra e mijëra kilometra po të rreshtohen njëra pas tjetrës”, tha Berisha.
Ai vuri në dukje se PD do të kthjellojë shqiptarët dhe t’i motivojë ata se “qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira duhet të jenë beteja jonë me të gjithë potencialet”.
“Se tellallët, intelektualët e llumit, të lidhur me fije të panumërta me krimin e djeshëm dhe krimin e sotëm, me krimin politik të diktaturës e kam fjalën, dhe me krimin e bandave të sotme, që nga mëngjesi gjer në darkë, ku janë dhe ku nuk janë, përpiqen të përligjin farsën e Edi Ramës, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se fajin e ka opozita, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se Edi Rama vodhi, por i fitoi, duke treguar moralin e kalbur të tyre. Pra, përballë kësaj propagande të kontrolluar plotësisht nga qeveria dhe të paguar nga qeveria, ne paraqesim çdo ditë fakte dhe dokumente që dëshmojnë, u provojnë shqiptarëve se çfarë ndodhi me 11 Maj dhe në fushatën elektorale në Shqipëri. Pra, ky është qëllimi ynë”, tha më tej Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se “farsa elektorale primitive e 11 majit përbën krimin kushtetues zgjedhor më të rëndë në historinë e pluralizmit shqiptar”.
“E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti. Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë. Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/