Polici i patrullës së përgjithshme dyshohet për kanosje dhe shpërdorim detyre, AMP referon procedimin penal në Prokurorinë e Tiranës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Rajoni Tiranë, ka referuar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë materialet proceduriale në ngarkim të punonjësit të policisë, E. H.
I dyshuari, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 5, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”, pasi dyshohet se ka kanosur me armën e shërbimit disa persona gjatë një konflikti në ambientet e një lokali.
Nga veprimet e para hetimore të AMP rezulton se punonjësi i policisë, mbrëmjen e djeshme, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me disa persona në një lokal në Tiranë.
Sipas njoftimit të AMP, situata më pas ka agravuar, dhe punonjësi i policisë ka nxjerrë armën e shërbimit, duke kanosur personat me të cilët po konfliktohej.
Përveç referimit penal në Prokurori, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar se ka nisur edhe një hetim disiplinor administrativ ndaj punonjësit E. H. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/