E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici i plagosur në atentat niset drejt Janinës, të tjera shoqërime në Tiranë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 28-12-2011 12:59

Naim Hyska është nisur për mjekim të specializuar drejt një spitali në Janinë. U përcoll vetëm nga disa kolegë të punës. Mjeku Olldashi: Gjendja vazhdon të jetë e rëndë, por ka shpresa për përmirësim

Tiranë Pas tri ditë trajtimi në Spitalin Ushtarak, efektivi i policisë, Naim Hyska është nisur dje jashtë vendit për mjekim të specializuar. Duke qenë se gjendja e tij shëndetësore është paraqitur e rënduar dhe në rrezik për jetën, mjekët kanë vendosur transportimin e tij në një spital të Janinës. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, një ambulancë e Spitalit Ushtarak, e shoqëruar nga një automjet i policisë rrugore ka transportuar drejt aeroportit të Rinasit 46-vjeçarin, i cili është nisur drejt qytetit grek të Janinës me një avion ‘Charter’. Por në ambientet e spitalit nuk ka pasur asnjë prej zyrtarëve të lartë të policisë, përveç disa prej kolegëve të Naim Hyskës, të cilët kanë përcjellë ambulancën drejt aeroportit të Rinasit. Sipas mjekut Fatos Olldashi, gjendja shëndetësore e 46-vjeçarit mbetet e rënduar, pasi dy ditë më parë ai i është nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë. Mjeku Olldashi tha se deri ditën e djeshme, oficeri i policisë nuk e kishte kaluar rrezikun për jetën, edhe pse ka shpresa për përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore. “Në datën 24 dhjetor ka mbërritur në Spitalin Ushtarak punonjësi i policisë Naim Hyskaj, i dëmtuar me armë zjarri. Goditja ka qenë tejshpuese në pjesën e kokës, duke sjellë edhe dëmtime të trurit. Menjëherë, i plagosuri i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe është mbajtur në reanimacionin e këtij spitali”, - tha mjeku Fatos Olldashi. Sipas tij, gjatë tri ditëve ai është mbajtur në monitorim dhe nga skaneri i fundit që i është bërë, ka rezultuar me rrjedhje gjaku, çka ka detyruar mjekët të kryejnë një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për të ndaluar hemorragjinë në pjesën e kokës. Duke parë se edhe pas ndërhyrjes së dytë, 46-vjeçari nuk ka shfaqur përmirësime, ekipi mjekësor ka vendosur dërgimin e tij drejt Janinës. Në bashkëpunim me autoritetet e vendit dhe ambasadën greke në Tiranë, ditën e djeshme ka mbërritur një ‘Charter’ në Greqia, me të cilin është transportuar drejt Janinës Naim Hyskaj, i plagosur katër ditë më parë disa metra larg banesës së tij në kryeqytet. Për këtë ngjarje policia ka shoqëruar ditën e djeshme 15 persona, por pa mundur të identifikojë autorin e atentatit, i cili qëlloi ndaj efektivit të policisë edhe pse në automjet ndodhej djali i tij 11-vjeçar. Dosja për këtë ngjarje të rëndë që është klasifikuar si vrasje me paramendim, mbetur në tentativë, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, edhe pse objekt i atentatit është një punonjës policie. Në raste të tilla, hetimet kryhen nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila është e specializuar për hetimin e një kategorie veprash penale, mes të cilave edhe vrasjet apo tentativat e vrasjes së gjyqtarëve, prokurorëve, punonjësve të policisë, apo punonjësve të administratës. Deri tani policia ka hedhur disa pista hetimore, ku më kryesorja është një ngjarje e ndodhur në qytetin e Vlorës në vitin 1998. Gjatë një operacioni policor të drejtuar nga Hyskaj ka mbetur i vrarë një person. Por jashtë vëmendjes së hetuesve nuk janë lënë as konfliktet apo problemet personale që mund të ketë pasur 46-vjeçari. Duke qenë se momentalisht nuk është sqaruar ende motivi i atentatit ndaj punonjësit të policisë, dosja penale për këtë ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›