Nëna e Ylli Bufit: Tim shoq e helmuan me urdhër të Mehmetit, pse gënjen Liri Belishova

KSANTHIPI BUFI DUKE DESHMUAR PER PANORAMA (MAJTAS) ISH-KRYEMINISTRI MEHMET SHEHU
Ksanthipi Bufi zbardh pjesën e panjohur të dosjes “Bufi”
“Më herët kërkuan ta arrestojnë dhe provuan ta zhduknin në një aksident automobilistik”
Mehmet Shehu nuk mund t’ia falte kurrë Sokrat Bufit akuzën për puç e tradhti. Hakmarrja shpërthyese menjëherë pas ngjarjes, rezultoi fatale për njeriun që guxoi ta denonconte nga Moska.
Përkundër historisë që kemi zbardhur këto ditë nga dosja “Bufi”, familjarët zbulojnë të tjera argumente e dëshmi për ngjarjen e bujshme të vitit ’53. Ksanthipi Bufi, bashkëshortja e Sokratit, në një rrëfim për “Panorama” duke publikuar pjesët e panjohura të çështjes “Bufi”, pohon shkaqet e konfliktit të hershëm me Mehmet Shehun, përmbajtjen e vërtetë të letrës adresuar nga Moska, përjetimet nga mbledhjet maratonë të KQ për akuzat e të shoqit e deri te rrethanat misterioze në të cilat ai ndërroi jetë. Tronditja e Mehmet Shehut pas denoncimit që Sokrati adresoi nga Moska, ishte e jashtëzakonshme, dëshmon zonja Bufi duke kujtuar përpjekjet e ish-ministrit të Brendshëm për zhdukjen e letrës dhe orvatjet për ta mbyllur këtë histori në rrugë misterioze. Madje ajo shkon edhe më tej, kur pohon se Mehemt Shehu dhe klani i tij organizuan vdekjen makabre të Sokratit. Fillimisht, kujton bashkëshortja e Bufit, provuan ta zhdukin me aksident automobilistik, por kur dështuan, zgjodhën rrugën e helmit me veprim të menjëhershëm. Ksanthipi Bufi shprehet e bindur se vdekja e të shoqit është e lidhur me urdhrin e drejtpërdrejtë të Mehemt Shehut dhe e marionetave të tij në lidershipin e partisë dhe të ekzekutivit komunist të kohës. Më shumë se te perceptimet e veta, këtë akuzë ajo e mbështet në përfundimet e eksperizës mjeko-ligjore të realizuar në vitin 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Më poshtë rrëfimi i plotë i Ksanthipi Bufit…
Kur filluan të bëhen publike dokumentet që lidhen me “letrën e Sokrat Bufit kundër Mehmet Shehut” vazhdimisht kam qenë në dilemën nëse duhej edhe unë, si bashkëshorte e Sokratit, të flisja, të dëshmoja, për ato që dija rreth kësaj

Sokrat Bufi me te shoqen ne diten e marteses
historie. Është një ngjarje shumë e dhimbshme për mua dhe familjen time sepse lidhet me vdekjen e burrit tim dhe përpjekjet e mia për rritjen e katër fëmijëve të vegjël të ngelur pa baba. Duke mos më interesuar përmbajtja politike e kësaj historie, për mua, si bashkëshorte e Sokratit, është e rëndësishme përmbajtja njerëzore e veprimit të tij, guximi për të thënë hapur ato që ai mendonte për njërin prej personave më të fuqishëm të pushtetit të asaj kohe, pa pasur frikë se këtë veprim ai do ta paguante me jetën e tij. Veprime të tilla bëhen vetëm nga njerëz me karakter të fortë dhe trima, si Sokrati. Pikërisht këtë vlerësim njerëzor ne donim ta mbanim brenda nesh, brenda familjes sonë, pa qenë nevoja për ta bërë publike nëpërmjet mediave. Ajo që më nxiti sot që t’i rikthehem asaj ngjarjeje, është intervista e Liri Belishovës e përfshirë në specialen e botuar nga gazeta “Panorama” për historinë e letrës së Sokrat Bufit. Kisha dëgjuar për ndjesën publike që ajo zonjë ka bërë për krimet e sistemit komunist, besoj edhe të sajat, si drejtuese e rëndësishme e atij sistemi, por me sa duket, ka mbetur po ajo, si dikur, që duke mbrojtur interesat e klanit të saj, të vërtetat përpiqet t’i mbulojë me të pavërteta, pa pasur merak se vazhdon të shtojë mëkatet e saj. Ndjesa më e mirë do të ishte që ajo të heshtte, të paktën për ato ngjarje për të cilat ka qenë vetë e implikuar drejtpërsëdrejti.
Pak rreshta për jetëshkrimin

Sokrat Bufi, deputet në vitin 1951
Sokrati ka qenë pjesëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe pasi përfundoi studimet në gjimnazin e atij qyteti, u kthye në Fier, ku u bë një nga themeluesit kryesorë të celulës komuniste të rrethit të Fierit. Ai e drejtoi atë deri sa u zbulua dhe u detyrua të shkonte në radhët e çetës partizane të Mallakastrës. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Sokrati vazhdimisht kreu funksione partie, deri në zëvendëskomisar i Brigadës XVI. Në Kongresin e parë të partisë në vitin 1948, ai u zgjodh sekretar i parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Fierit dhe në vitin 1952 u caktua nga Byroja Politike të shkonte në Shkollën e lartë të Partisë në Moskë. Një vit më parë ishte dërguar për studime në këtë shkollë një grup i përbërë nga Ramiz Alia, Liri Belishova, Pirro Kondi, Jorgji Sota. Në grupin e dytë bashkë me Sokratin ishin dhe Xhavit Qesja, Ramadan Xhangolli, Jorgjie Premti dhe Dashnor Mamaqi. Në atë kohë në Bashkimin Sovjetik ndodhën ngjarje të tilla që patën ndikime të mëdha për gjithë lëvizjen komuniste ndërkombëtare, si vdekja e Stalinit dhe arrestimi i Beries.
Letra për Mehmet Shehun
Ky është momenti kur Sokrati i drejton nga Moska një letër Komitetit Qendror të Partisë. Kjo letër nuk rezulton të jetë në Arkivin e KQ. Së paku kur është kërkuar zyrtarisht pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për të hetuar mbi shkaqet e vdekjes së Sokratit, është konstatuar se është zhdukur. Misteri i kësaj letre vazhdon edhe sot, sepse me gjithë përpjekjet tona, letra vazhdon të mos gjendet. Në Arkivat e Shtetit ndodhen të gjitha dokumentet e mbledhjeve të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Byrosë Politike, ku analizohet qëndrimi i Sokratit, madje edhe shënimet e përcjelljes së dokumenteve, por jo letra origjinale që Sokrati adresoi nga Moska për Komitetin Qendror. Nuk është e vështirë të mendosh se cili mund të jetë autori i zhdukjes së saj, kur personi drejtpërdrejt i akuzuar ishte Mehmet Shehu, në atë kohë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë dhe ministër i Punëve të Brendshme. Tronditja e Mehmet Shehut pas letrës së Sokratit ishte shumë e madhe. Zhdukja e saj ishte e pamjaftueshme për ta qetësuar atë duke shkuar me veprimet e tij deri në zhdukjen fizike të Sokratit. Kur e panë se Sokrati nuk do të burgosej, siç kërkuan ata, Mehmet Shehu dhe Liri Belishova u “kujdesën” që ai të punonte në një vend të mbikëqyrur prej tyre, jo atje ku ishte vendosur nga Byroja Politike, por në Ministrinë e Bujqësisë ku Maqo Çomo (burri i Liri Belishovës) sapo ishte caktuar si ministër. Mbas një aksidenti automobilistik të dështuar që i ndodhi Sokratit kur punonte në Ministrinë e Bujqësisë (për koincidencë shoferi i automjetit që po udhëtonte ishte shoferi i Maqo Çomos, bashkëshortit të Belishovës (!)) pas disa ditëve, pikërisht më 20 maj 1957, ai vdiq i helmuar në rrethana misterioze, pa qenë më parë asnjë ditë dhe asnjëherë