E Enjte, 5 Nëntor 2026

Policia, 20 mijë euro shpërblim për informacione për 3 autorët e sulmit ndaj Mëngjesit

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Policia ka vendosur 20 mijë euro shpërblim për informacione të vlefshme në lidhje me vendndodhjen e 3 të dyshuarve për sulmin e mëngjesit të sotëm ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ndërsa ka zbardhur dinamikën e dhunës së ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë informacion për vendndodhjen e të dyshuarve të njoftojnë Policinë.

Sipas Policisë, avokati Mëngjesi u sulmua nga 4 persona për shkak të detyrës, pasi kishte fituar një gjyq për çështje pronësie.

Sipas Policisë, organizator i dyshuar i sulmit është Dritan Nano i cili është arrestuar, ndërsa njëri nga autorët e dyshuar të sulmit u vetëdorëzua.

Vocaj zbardhi sot ngjarjen e sulmit ndaj avokatit.

Sipas tij, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani”, tre persona kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mëngjesi, 45 vjeç, banues në Tiranë, me profesion avokat.

“I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan punën policore për marrjen e informacionit mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, ku nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje kriminale, konkretisht shtetasve: Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici; Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë; Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT)”, bëri të ditur Vocaj.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për lokalizimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve vë në dispozicion shumën prej 20 000 euro. Informacioni mund të jepet në numrin telefonik pa pagesë 112 si dhe në numrin celular +355694111546 (Informacioni mund të jepet në telefon ose WhatsAapp).

1 nga 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›