E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sulmi ndaj Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë: Të kryhet hetim i plotë i ngjarjes

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shprehu sot shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës.

Në një njoftim për shtyp, Dhoma e Avokatisë theksoi se “ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentë të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë, në muajin prill të këtij viti. Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenon rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht”.

Dhoma e Avokatëve i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Njëkohësisht Dhoma e Avokatisë shprehet se do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.

Dhoma e Avokatisë shprehet besimplotë se reagimi i saj do të shërbejë si këmbanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre.

Avokati Sokol Mëngjesi u godit mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Mëngjesi u dërgua menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia zbardhi pasditen e sotme dinamikën e ngjarjes, ndërsa njoftoi për vetëdorëzimin e organizatorit të sulmit dhe një prej autorëve, ndërsa 3 të tjerët janë në kërkim.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›