E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Bashkiake vijon aksionin për largimin e mjeteve të braktisura nga hapësirat publike në Tiranë


TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Policia Bashkiake e Tiranës vijon punën për identifikimin dhe largimin e mjeteve të braktisura nga rrugët dhe hapësirat publike të kryeqytetit.

Përmes një njoftimi, Policia Bashkiake bën të ditur se pjesa më e madhe e mjeteve të braktisura tashmë është mbledhur dhe larguar, ndërsa puna do të vijojë për evidentimin e rasteve të tjera.

Në këtë kuadër, institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë mjete të cilat nuk i përdorin më dhe që ndodhen në hapësira publike, t’i largojnë vetë dhe t’i dërgojnë për skrap.

“Mos ta lëmë qytetin të presë për ndërhyrjen e institucioneve kur mund të kontribuojmë vetë”, thuhet në njoftimin e Policisë Bashkiake.

Institucioni thekson se hapësirat publike janë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe kërkon bashkëpunimin e tyre për t’i mbajtur ato të lira, të pastra dhe të sigurta.

Për raportimin e mjeteve të braktisura, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë Bashkiake të Tiranës në numrin 04 241 9465.

Policia Bashkiake deklaron se do të vijojë ndërhyrjet për largimin e mjeteve të braktisura nga hapësirat publike të qytetit.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›