Policia Kufitare godet shkelësit e ligjit në det, 35 mjete lundruese të bllokuara në një javë

Gjatë javës së fundit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare shqiptare, nga Komani në Ksamil, me fokus rritjen e sigurisë në det. Si rezultat i këtij operacioni, janë kontrolluar 525 mjete lundruese dhe janë bllokuar 35 prej tyre për shkelje të ndryshme.
Nga mjetet e bllokuara, 22 janë jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike. Një shqetësim i madh mbetet lundrimi i pakujdesshëm: 14 mjete u konstatuan duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë në plazhe, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan me gjoba administrative prej 100,000 lekësh secili.
Operacione shpëtimi dhe bashkëpunim ndërkufitar
Përveç masave ndëshkuese, ndërhyrja e shpejtë e forcave policore bëri të mundur shpëtimin e 19 shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, si dhe të 6 mjeteve lundruese që ishin në rrezik në det.
Në një tjetër rast, Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me autoritetet greke, bllokoi në plazhin e Pemës së Thatë në Ksamil një gomone që ishte vjedhur në Lefkadha të Greqisë. Hetimet për kapjen e autorëve vazhdojnë.
Policia e Shtetit ripërsërit apelin drejtuar qytetarëve dhe pushuesve që të respektojnë rregullat e lundrimit, duke mos shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke u pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit. Çdo shkelje mund të denoncohet në numrin pa pagesë 112, me garancinë e një reagimi të menjëhershëm.
/rtsh.al/