E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Kufitare shpëton familjen me pesë anëtarë në Himarë, Lamallari: Reagim i shpejtë dhe profesional

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë pesë shtetasve, pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët rrezikuan të mbyteshin pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës si pasojë e motit të keq.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi reagimin e menjëhershëm të efektivëve të Policisë Kufitare.

Sipas tij, pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare u angazhuan menjëherë në kërkimet në det me mjetin e tyre lundrues, duke bërë të mundur lokalizimin e mjetit ku ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.

Pesë anëtarët e familjes u transportuan më pas me mjetin e Policisë Kufitare drejt Pikës së Kalimit Kufitar Himarë, ku mbërritën në gjendje të mirë shëndetësore.

Ministri Lamallari përgëzoi punonjësit e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë dhe profesional në operacionin e shpëtimit, duke theksuar angazhimin e strukturave të rendit për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe vizitorëve gjatë sezonit turistik.

Ai përsëriti gjithashtu apelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e daljes në det në kushte të pafavorshme atmosferike, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›