E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Kujdes nga mashtrimet online, mos klikoni linke të dyshimta

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot qytetarët për rastet e mashtrimeve online (phishing), ku persona keqdashës dërgojnë SMS të rreme në emër të institucioneve publike, përfshirë Postën Shqiptare apo platforma të ngjashme me e-Albania.

Sipas policisë në këto mesazhe pretendohet se qytetarët kanë pako për të tërhequr ose detyrime/gjoba për të paguar, duke i drejtuar në linke të rreme që imitojnë faqe zyrtare, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare.

Policia thekson se kjo skemë mashtruese është e njëjtë dhe e përhapur thuajse në të gjithë botën dhe nuk përbën një fenomen të izoluar.

Për këtë arsye, me qëllim parandalimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, përsërisim këtë njoftim publik.

“Kujdes: Mos klikoni në linke të dyshimta të dërguara me SMS ose mesazhe të tjera; Mos vendosni të dhëna personale apo bankare në faqe të paautorizuara; Injoroni dhe fshini menjëherë mesazhe të tilla mashtruese; Verifikoni gjithmonë informacionin vetëm në kanalet zyrtare të institucioneve”, nënvizoi policia.

Policia thekson se të dhënat personale dhe bankare nuk vidhen nëse nuk ndërveproni duke klikuar linket e dërguara dhe duke futur vetë të dhënat e tyre në faqet mashtruese.

Policia bën apel që të tregohet kujdes i shtuar dhe të raportohet çdo rast i dyshimtë pranë organeve kompetente.

1 nga 6

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›